Duke folur në Kuvend, deputeti i PS Fatmir Xhafaj kritikoi disa pika të buxhetit të vitit të ardhshëm 2023. Xhafaj tha se është absurde që në “kohë lufte” të programohen disa shpenzime si në “kohë paqeje”, duke theksuar se duhen “shtrirë këmbët sa ke jorganin”. Xhafaj tha se buxheti duhej të fokusohej më shumë te të pamundurit, veçanërisht te pensionistët, të rinjtë, bizneset e reja dhe banesat sociale.
Situata të tilla ekonomike mund t’i kapërcejmë me sukses të gjithë bashkë, me më shumë reflektim, përgjegjshmëri dhe mbi të gjitha me transparencë nga ne si mazhorancë. Situatat aktuale duhet ta bëjnë qeverinë shumë më të përlurur, shumë më komunikuese me grupet e interesit dhe kryesorja edhe më transparente dhe të angazhuar realisht në luftën kundër korrupsionit, në menaxhimin dhe mirëpërdorimin e fondeve buxhetore. Bie dakord me disa masa shtrënguese në buxhet, megjithatë është absurde që kur flasim për kohë lufte të programojmë disa investime dhe shpenzime si në kohë paqeje, që të ketë kuptim edhe në këtë rast ajo shprehja e mençur e popullit ‘shtriji këmbët sa ke jorganin’. Kjo edhe për faktin se këmbanat e krizës energjetike dëgjohen për herë e më pranë si një pandemi e re ekonomike”.
Buxheti edhe në këto kushte shtrëngese mund dhe duhet të ishte më shumë i fokusuar te grupet e interesit apo xhepin e të pamundurit, veçanërisht për pensionistët pa mbështetje shtesë. Mbi të gjitha duhet të programojmë më mirë disa politika më incentivuese për rininë si kualifikimi teknologjik, mbështetja e bizneseve të reja, shtimi i banesave sociale për çiftet e reja, punësimi i të rinjve, krijimi i lehtësive për bizneset e huaja prodhuese në vend dhe veçanërisht atyre që ofrojnë dhe garantojnë vende të reja pune, etj të tilla”.



