Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi ka komentuar nga Korça akuzat e fundit të deputetes Elisa Spiropali mbi mungesën e meritokracisë dhe zgjedhjeve në Partinë Socialiste, si dhe gjetjet kritike të progres-raportit të Komisionit Evropian për funksionimin e Kuvendit.
I pyetur nga gazetarët për deklaratat e Spiropalit, Peleshi shmangu komentet personale, por pranoi se arritja e meritokracisë së plotë në administratë mbetet ende një sfidë e hapur, pavarësisht reformave të deritanishme në sektorë kyç.
Nuk mund të komentoj fjalë pas fjale askënd, por mund të marr vetëm subjektin që ka lidhje me meritokracinë, për të cilën, pa hezituar dhe pa e fshehur, do të thosha që ngelet një sfidë. Nuk mund të themi që ja kemi dalë 100% për të pasur një administratë totalisht meritokratike, ashtu siç duhet thënë që janë bërë hapa të guximshëm në sektorë si arsimi, policia, diplomacia dhe mjekësia.
Sa i përket kritikave të Komisionit Evropian për polarizimin e thellë politik dhe dobësitë në kontrollin parlamentar, Peleshi u shpreh se gjetjet e Brukselit duhen kthyer në material pune.
Ai pranoi se tensionet politike janë rritur në prag të periudhës parazgjedhore, duke theksuar se problemi më i rëndë i Kuvendit mbetet gjuha personale dhe sulmet ndaj familjarëve të deputetëve.
Polarizimi është i dyanshëm. Ne kemi një gjë për të cilën ka të drejtë progres-raporti dhe për të cilën duhet të skuqemi të gjithë. Në parlamentin shqiptar, ndryshe nga shumë parlamente të tjera, politika bëhet personale. Përmenden emra familjarësh dhe të afërmish të deputetëve. Kjo gjë duhet të marrë fund.
Peleshi shtoi se progres-raporti ka konstatuar shumë të vërteta dhe se ka ende vend për përmirësim në ushtrimin e kontrollit parlamentar mbi qeverinë.
Patjetër ka shumë të vërteta, gjithçka është e vërtetë te ato që konstaton progres-raporti. Nuk duhet të lexojmë vetëm të mirat, duhet të lexojmë dhe kritikat dhe t'i kthejmë në material pune. Ka vend për të bërë më mirë, natyrisht.
Megjithatë, ai e vuri theksin te rekomandimi historik i Komisionit Evropian për nisjen e punës për traktatin e anëtarësimit, duke nënvizuar se viti që vjen dhe fundi i 2027-ës janë afatet kyçe për mbylljen teknike të kapitujve të integrimit.
Përtej kritikave dhe vërejtjeve, qëndron një fjali shumë pozitive për të gjithë shqiptarët: fjalia ku i rekomandohet Komisionit të fillojë të shkruajë traktatin e anëtarësimit. Kjo është faza finale e projektit më historik të Shqipërisë. Në fund të 2027-ës detyrat e shtëpisë për Shqipërinë përfundojnë.
