Përveç opozitës, por edhe brënda maxhorancës ka pasur një debat për dhënien me koncesion të laboratorëve spitalorë.
Në lidhje me këtë reagoi edhe aleati kryesor i qeverisë, Lëvizja Socialiste për Integrim, e cila ka paraqitur një kërkesë që të pezullohet financimi i projektit të partneritetit publik privat për laboratorët spitalorë gjatë vitit të ardhshëm.
Kërkesa e nënshkruar nga kreu i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili thotë se së pari, “Ministria e Shëndetësisë ka kërkuar opinionin e një kompanie konsulencë për fizibilitetin e projektit të laboratorëve. Kompania përkatëse është ende në proces të diskutimit të detajeve përfundimtare që lidhen me projektin, gjë të cilën ministri e ka bërë publike. Pra akoma nuk ka një përfundim të plotë dhe të detajuar të kësaj çështjeje”.
Më tej Vasili sqaron se në “buxhetin e shtetit mund të miratohen për financim vetëm projekte për të cilët vlerësimi i shumanshëm i tyre dhe procedurat e miratimit zyrtar të jenë përfundimtare. Një gjë e tillë, siç duket qartë me projektin e mësipërm, nuk ka ndodhur”.
Sipas LSI-së fondi përkatës duhet të rialokohet brënda të njëjtit program për projekte të tjera sipas vlerësimit të Ministrisë së Shëndetësisë.



