Gjykata Kushtetuese ka pranuar pjesërisht kërkesën e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, duke shfuqizuar si antikushtetues vendimin e Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë lidhur me masën e sigurimit “arrest në burg”, për mungesë arsyetimi në disa aspekte thelbësore kushtetuese.
Sipas vendimit, Gjykata vlerësoi se është cenuar parimi i dinjitetit dhe prezumimit të pafajësisë, në lidhje me mënyrën e qëndrimit të kërkuesit gjatë procesit gjyqësor në “kafazin” ose kabinën e xhamit në sallën e gjyqit, si dhe proporcionaliteti i masës së sigurimit në raport me të drejtën për t’u zgjedhur.
Në të dyja këto pika, Gjykata Kushtetuese konstatoi mungesë arsyetimi nga Gjykata e Lartë, duke e konsideruar vendimin të papajtueshëm me standardet kushtetuese.
Megjithatë, Gjykata nuk arriti shumicën e nevojshme prej pesë votash në lidhje me pretendimin për cenimin e parimit “reformatio in peius” (mosrëndimi i pozitës), i lidhur me marrjen e provave të reja në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar gjatë shqyrtimit të masës së sigurimit. Për këtë pikë, trupi gjykues u nda në 4 me 4 vota.
Në aspektin procedural, Gjykata rrëzoi si të pabazuar pretendimin për cenim të së drejtës së mbrojtjes dhe për mënyrën e zhvillimit të procesit, përfshirë qëndrimin e kërkuesit në kabinën e xhamit gjatë seancave.
Në aspektin substancial, u rrëzuan gjithashtu pretendimet që lidhen me dyshimin e arsyeshëm për caktimin e masës së sigurimit dhe gjuhën e përdorur në vendimet gjyqësore.
Në përfundim, Gjykata Kushtetuese vendosi pranimin e pjesshëm të kërkesës dhe shfuqizimin e vendimit të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, duke e kthyer çështjen për rishqyrtim në këtë gjykatë.
Ky vendim shënon rastin e dytë kur Erion Veliaj fiton në Gjykatën Kushtetuese, pas çështjes së mëparshme që lidhej me mandatin e tij si kryebashkiak i Tiranës.



