
Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, thotë se banorët e Kodrës së Priftit duhet të dëmshpërblehen sipas ligjit dhe jo të mashtrohen me kontrata pa vlerë juridike. Në një postim në Facebook, Xhixho shprehet se këta banorë, të cilët protestuan sot për shtëpitë e tyre, duhet të garantohen ligjërisht se do të përfitojnë strehim në këmbim të truallit që preket nga projekti i ri.
Banorët e Kodrës së Priftit rrezikojnë të mbeten pa shtëpi me një letër pa vlerë në dorë.
Në këmbim të truallit, atyre u jepet një akt-marrëveshje me anë të së cilës u hiqet e drejta për t’u ankimuar në gjykatë.
Kursimet e një jete për shumicën prej tyre rrezikojnë të bëhen pluhur, edhe pse i kanë ndërtuar shtëpitë konform projektit ekzistues. Rasti i banorëve të “5 Majit”, përsëritet.
Askush nuk është kundër zhvillimit, por jo pa siguri juridike. Është e papranueshme që qytetarët, taksapagues të rregullt të Bashkisë së Tiranës, të marrin prej saj një letër bakalli që nuk saktëson vendin ku do marrin shtëpinë, kohën dhe shumën e saktë që përfitojnë.
Djersa dhe mundimi i një jete nuk mundet kurrsesi të këmbehet me një marrëveshje që nesër mund të mos ketë asnjë vlerë ligjore.
Është e domosdoshme që këtyre 40 familjeve t’u jepen të gjitha garancitë se do të dëmshpërblehen siç parashikon ligji dhe të mos kthehen në të pastrehë të flakur në rrugë me dhunë policore.
Pse është kaq e vështirë për Bashkinë e Tiranës t’u japë të gjithë garancitë juridike qytetarëve, kur ka muaj që kërkohet ky saktësim në akt-marrëveshje, në mënyrë që ajo të marrë vlerë e mos jetë një letër që tallet me djersën dhe kursimet e një jete të këtyre familjeve.
Asnjë vepër publike nuk mund të ndërtohet mbi padrejtësinë që u bëhet qytetarëve.
Të ndalet ky veprim arbitrar, të ndalet dora e shkatërrimit mbi pasuritë e qytetarëve shqiptarë!



