Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, bëri me dije sot se Këshilli Kombëtar Shqiptar ka ndërmarrë një fushatë për mbledhjen e të dhënave personale për gjithë shqiptarët me adresa të pasivizuara në Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë.
“Për këtë arsye, veçanërisht këto ditë kemi ruajtur komunikim të ngushtë me Kryetarin e Këshillit, Ragmi Mustafa, për të mbikëqyrur mbarëvajtjen e kësaj nisme”, u shpreh Cakaj në një postim në Facebook.
Gjithashtu, Cakaj theksoi se dokumentimi i saktë i adresave të pasivizuara është parakusht për trajtimin e këtij procesi krejtësisht arbitrar dhe diskriminues ndaj shqiptarëve të Luginës.
Kryediplomati Cakaj u bëri thirrje të gjithë qytetarëve, të cilëve u janë pasivizuar adresat, të paraqesin rastet e tyre pranë zyrave të Këshillit Kombëtar Shqiptar në Bujanoc e Medvegjë.
“Ne do vazhdojmë mbështetjen e pakursyer me veprime konkrete politike, institucionale dhe diplomatike për të mbështetur shqiptarët e Luginës së Preshevës”- përfundon Cakaj reagimin e tij.



