
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i filloi të mërkurën konsultimet me partitë politike në vend për të arritur një marrëveshje për datën e mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme.
Megjithkëtë, pushteti e opozita nuk po pajtohen për datën e zgjedhjeve.
Debati në distancë nisi që nga dita e djeshme kur pushteti po insiston që zgjedhjet të mbahen më 16 shkurt, kurse opozita më 26 janar. Kjo në mënyrë që, sipas tyre, t’i shkurtohet sa më shumë afati qeverisës pushtetit.
Partitë opozitare kanë kërkuar që zgjedhjet të mbahen më 26 janar.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, tha se partia e tij është gati për zgjedhje në çfarëdo date.
Në anën tjetër, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se shpreson që presidentja Osmani do ta shpallë 26 janarin datë të zgjedhjeve të reja.
E kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka dhënë një deklaratë pas takimit konsultativ me presidenten Vjosa Osmani për caktimin e datës së zgjedhjeve të rregullta.
Ai ka thënë se ka propozuar që zgjedhjet nacionale të mbahen më 26 janar të vitit 2025.
Abdixhiku ka thënë vendit i duhet sa më parë një qeveri që e parandalon zhbërjen e shtetit.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dje deklaroi se e ka një datë të preferuar, megjithatë nuk preferoj ta tregoi atë.
Viti 2025 do të jetë vit i rregullt zgjedhor dhe nëse partitë vendosin që të mbahen zgjedhje të rregullta dhe jo të parakohshme, atëherë Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti do të bëhet Qeveria e parë që nga shpallja e pavarësisë, që do të përfundojë mandatin e plotë katërvjeçar.
Për një kohë të gjatë, partitë opozitare kishin kërkuar mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, por më herët gjatë këtij viti dështuan të arrinin pajtim se si të shkohet në zgjedhje.
Sipas afateve të përcaktuara me legjislacionin në fuqi, Kosova mund të mbajë zgjedhje të rregullta më 26 janar, 2, 9 ose 16 shkurt.



