
Kryetari në detyrë i PDK-së, Enver Hoxhaj ka ripërsëritur qëndrimin e kësaj partie se tashmë nuk ka votë për Vjosa Osmanin për presidente të Kosovës.
Hoxhaj, përmes një postimi në rrjete sociale, ka thënë se ajo është figurë përçarëse dhe përfaqëson interesin e vetëm një partie dhe liderit të saj.
“Partia Demokratike e Kosovës nuk ka votë për Vjosa Osmanin për presidente të ardhshme të Kosovës. Ajo është treguar një figurë përçarëse, aspak përbashkuese dhe nuk e përfaqëson unitetin e popullit. Duke qenë e motivuar partiakisht dhe që përfaqëson interesat e vetëm një partie dhe liderit të saj, znj. Osmani nuk mund të jetë aspak e denjë për pozitën e presidentes”, ka shkruar ai.
Hoxhaj ka thënë se PDK-ja do të jetë partia e vetme opozitare dhe s’do të tradhtojë besimin e votueseve.
“PDK-ja nuk do ta tradhtoj besimin e votuesve të saj. Ne jemi partia e vetme në opozitë që do ta ballafaqojmë deri në fund pushtetin e ri, do t’i përfaqësojmë qytetarët e Kosovës dhe do ta mbajmë përgjegjëse për çdo premtim e vendim. PDK sikurse e kemi thënë gjatë zgjedhjeve, do të jetë fronti i vetëm politik në Kosovë kundër boshtit populist të përfaqësuar nga z. Kurti”, ka thënë Hoxhaj.



