Avokati Kujtim Cakrani, për aprovimin nga Avokati i Popullit të kërkesës lidhur me diskriminimin që i është bërë kryetarit të Partisë së Lirisë Ilir Meta lidhur me takimet që janë mohuar me strukturat drejtuese të Partisë Lirisë por edhe me mediat, thotë se më në fund shuhet kjo paligjshmëri.
Nga studio e “MCN Live”, ai deklaroi se masat kufizuese ndaj u gjetën antiligjore dhe se ish-Presidenti mund të kontaktojë me këdo.
Ndaj Presidentit është ushtruar dhunë psikologjike dhe ka pasur takime të reduktuara qoftë me familjarët apo strukturat e partisë. Unë iu drejtova Avokatit të Popullit se sjelljet dhe takimet e të paraburgosurve dhe burgosurve janë diskriminuese dhe iu drejtua Avokatit të Popullit që ta shuajë këtë paligjshmëri.
Avokati i Popullit iu drejtua burgjeve të cilat nuk e justifikonin dot se ishin shkelur të gjitha parimet kushtetuese dhe të drejtat. Aq më tepër që një politikan në arrest ka të drejtë ta ushtrojë funksionin e tij që nga burgu. Avokati i Popullit bëri një hetim administrativ, dhe konkludoi se Presidenti ka të drejtë të flasë me këto. Masat u gjetën antiligjore dhe zoti Meta mund të kontaktojë me këdo.
Mjafton ti bëhet një kërkesë Drejtorit të Burgjeve. Duhet t’i kthehet ligjshmërisë se janë shkelur të gjitha të drejtat kushtetuese. Dje kemi bërë një kërkesë tjetër ku i kërkojmë GJKKO të heqë kafazin e hekurt dhe të xhamtë, për të burgosurit. Nuk duhet të rrinë në këto kafaze se quhet diskriminim, stigmatizim dhe prezumimi i pafajësisë nuk ekziston.
Duhet hequr për të pasur një gjykim jo diskriminues, jo poshtërues. Kafazi i qelqtë tregon që ja ku është i fajshmi dhe është formë poshtërimi dhe mesjetare. Se kjo ka të bëjë me dinjitetin njerëzor.



