
Për politologun Ilir Kalemaj mbrojtja politike që Rama i bëri Veliajt, ishte e parakohshme.
Në studion e lajmeve të MCN Tv, Kalemaj tha se indiciet tregojnë se drejtorë po aq të rëndësishëm sa ata që janë arrestuar për aferën 5D, do të përfundojnë në prangat e policisë.
Sipas Kalemajt, dorëheqja duhet të ishte akti primar i Veliajt.
Ka kohë që përflitet për marrëdhënien mes Veliajt dhe Ramës nga opozita, ka pasur shumë spekulime dhe në të kaluarën, unë kam qenë nga ata që i kam qëndruar faktit që është një binom politik, janë të lidhur për mirë apo për keq, ngushtësisht me njëri-tjetrin dhe fatet e tyre politike. Nuk isha aspak i habitur kur Rama bëri mbrojtjen publike.
Indiciet tregojnë që drejtorë po të rëndësishëm, po të përgjithshëm në Bashkinë Tiranë janë rrugës dhe kanë kryer të njëjtë skemë, si skema fatkeqe 5D.
Duke parë këto bilance në çdo vend, mendoj se dorëheqja duhet të ishte akti primar dhe ballafaqimi me drejtësinë, pavarësisht se nuk është ende një person në hetim, por nga ana morale se bashkëpunëtorët e tu më të ngushtë janë kapur me ‘presh në dorë’.
Rama nuk e di pse nxitoi në atë mbrojtje publike pa folur drejtësia, se nuk ishte ekuivalenti i rastit të zonjës Xhaçka, prapë ngelej brenda sinoreve të një mbrojtje politike, brenda grupit parlamentar, nuk është se rrezikonte ndonjë dënim penal. Kjo e Veliajt ishte flagrante.



