
Avokati i Popullit del me njoftim për caktimin e anëtarëve dhe anëtarëve zëvendësues nga radhët e avokatëve në komisionin e pavarur Ad Hoc për verifikimin paraprak të kandidatëve për anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë nga radhët e avokatisë.
Në vijim të procedurave për ngritjen dhe funksionimin e Komisionit të Pavarur Ad Hoc për verifikimin dhe vlerësimin paraprak të kandidatëve për anëtarë të Këshillit të lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë nga radhët e avokatisë, Avokati i Popullit mori në shqyrtim listën e avokatëve të dërguar nga Dhoma e Avokatisë që plotësonin kriteret e përcaktuara ligjore për të qenë anëtarë dhe anëtarë zëvendësues në Komisionin e Pavarur Ad Hoc.
Në zbatim të detyrimeve që rrjedhin nga neni 23 dhe 25 i ligjit nr.115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, i ndryshuar, Avokati i Popullit pas shqyrtimit të listës së avokatëve ftoi më të riun në moshë dhe më të vjetrin në moshë ndër ta që të shërbejnë si anëtarë të Komisionit të Pavarur Ad Hoc.
E njëjta procedurë dhe në bazë të të njëjtit kriter u ndoq dhe në rastin e caktimit të dy anëtarëve zëvendësues.
“Duhet të informojmë se në rastin e caktimit të anëtarit më të vjetër në moshë, kandidati i parë për arsye personale nuk pranoi të shërbente si anëtar dhe, për rrjedhojë, u vazhdua me kandidatin që pasonte në listë, sipas kriterit të moshës.
Në përfundim të procedurave të mësipërme, Avokati i Popullit bën publike emrat për anëtarë dhe anëtarë zëvëndësues nga rradhët e avokatëve në Komisionin e Pavarur Ad Hoc, si më poshtë:
1. Maksim Haxhia – anëtar
2. Ilir Dode - anëtar
1. Sokol Puto – anëtar zëvendësues
2. Erajd Dobjani- anëtar zëvendësues
Ky njoftim bëhet në kuadër të transparencës dhe informimit të publikut në lidhje me të gjitha fazat e zhvillimit të procedurave për ngritjen dhe funksionimin e Komisionit të Pavarur Ad Hoc për verifikimin dhe vlerësimin paraprak të kandidatëve për anëtarë të Këshillit të lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë nga radhët e avokatisë.



