
Kryetari i PD, Lulzim Basha, ka reaguar për herë të parë pas lirimit nga arresti shtëpiak i ish-ministrit Saimir Tahiri.
Ai thotë se vendimi i Apelit, “tregon se Edi Rama ka zgjedhur përfundimisht anën e krimit në dëm të Shqipërisë. Kjo është goditje direkte për mundësinë e hapjes së negociatave me Bashkimin Europian. Nxjerrja e Saimir Tahirit para drejtësisë është kërkesë specifike për hapjen e negociatave për disa qeveri europiane, të cilat e kanë informuar qartë dhe direkt Edi Ramën për këtë gjë”.
Në një status në rrjetin social "Facebook", kreu demokrat theksoi se u mbyll sipas paktit mafioz Rama-Tahiri, farsa e paralajmëruar e “arrestit” dhe “dorëzimit” të kontrolluar të Tahirit te “drejtësia”.
Basha vazhdon më tej me akuzat kur thotë se lirimi i Saimir Tahirit është triumfi i krimit dhe trafikantëve të drogës dhe goditje e rëndë për integrimin evropian të Shqipërisë dhe drejtësinë e vërtetë.
Sipas kryedemokratit, ky akt rikonfirmoi se Edi Rama dhe Saimir Tahiri kanë qenë, janë dhe do të jenë një dhe të pandarë.
Për lirimin e Tahirit ka reaguar edhe ish-kryeministri Sali Berisha, i cili thekson se lirimi i tij u bë me urdhër të Ramës.
"Kryegjykatësi, kryeprokurori, kryekushtetuesi, kryemafiozi Edvin Kristaq Rama urdhëroi lirimin e menjehërshem të Saimir Trafikut nga pushim në shtëpi, masa që ai i dha tre javë më parë", shkruan Berisha.
Ish-kryeministri shkruan se operacioni ‘Forca e Krimit’ arriti sot fitoren më të shkëlqyer.



