
Duket se opozita do të dalë me një koalicion të përbashkët për zgjedhjet vendore të 2019.
Edhe pse deri tani ende nuk është arritur një marrëveshje, kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi, thotë se janë shumë pranë arritjes se marrëveshje me PD për të dalë bashkë në këto zgjedhje.
“Ne aktualisht kemi unifikuar grupin parlamentar për axhendën për ligje të caktuara, por parimet tona nuk do i cenojmë. Për zgjedhjet lokale mund të them që protesta e ditës së enjte i dha një shans strukturave në bazë për t’u njohur dhe rakorduar, pasi patën një filling pozitiv, organizativ ditën e enjte. Si do të ecim? Ne do të jemi shumë racional, nuk do të kënaqim egot tona, por të zgjidhim problemet kryesore. Akoma nuk e kemi diskutuar se është akoma shumë herët për koalicionet, partitë janë në ‘gjueti’ për evidentimin e kandidaturave, që marrin përgjegjësi, jo për të pasur militantë. Jemi në diskutime, ka një lloj pozitiviteti dhe dashamirësie, por jemi në diskutime për vendosur kriteret për kandidatin, jo emrat. Nuk kemi rënë dakord 100%, por aty aty.”, u shpreh ajo e ftuar në emisionin ‘5 pyetje nga Babaramo”.
Ndërkohë kryetarja e LSI deklaroi se protesta e opozitës do të vijojnë derisa kryeministri Edi Rama të teriqet nga tarifa për rrugën e Kombit si dhe për TVSH për bizneset e vogla.
Kryemadhi thotë se kryeministri Edi Rama duhet të jetë transparent me qytetarët, duke shtuar se shqiptarët e paguajnë njëherë taksën e qarkullimit dhe nuk kanë arsye pse të paguajnë edhe një herë tarifë për rrugët.
Kryetarja e LSI-së ka edhe një qëndrim për deklaratat e disa ditëve më parë të presidentit Ilir Meta, i cili bëri thirrje për dialog, duke shtuar se opozita ka mjaft institucione ku të ankohet dhe jo përmes mosbindjes civile.
Ajo thotë se Presidenti ka mendimin e tij, ndërsa ajo është kryetare një force politike, e cila ka marrë një vendim me PD.
Sipas Kryemadhit, ilaçi me emergjent kundër kryeministrit është mosbindja civile, dhe ai duhet të reagojë.



