
Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme, Joseph Borrell e cilëson anëtarësimin në Bashkimin Europian, tani më shumë se kurrë zgjedhje strategjike.
Duke prezantuar paketën e zgjerimit të vitit 2024 në një konferencë të përbashkët me komisionerin europian për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, ai shprehu vendosmërinë për të ruajtur vlerat europiane.
Tani, më shumë se kurrë, anëtarësimi në Bashkimin Evropian bëhet një zgjedhje strategjike.
Ai shprehu vendosmërinë për të mbrojtur vlerat europiane dhe për të ndihmuar Ukrainën, si kur bëhet fjalë për rrugën drejt Bashkimit Europian dhe në fushën e betejës.
Thjesht nuk mund të ruash lidhjet me Federatën Ruse dhe të jesh pjesë e Bashkimit Evropian.
Sipas tij, fakti që ka dhjetë vende kandidate dhe kandidate potenciale për në Bashkimin Europian tregon se BE vepron si magnet, duke tërhequr njerëz dhe shtete.
“Zgjerimi është ndër tre çështjet kryesore tani, jo vetëm për shkak të rrethanave gjeopolitike, por sepse është edhe në interes të BE-së. Ne rivendosëm besueshmërinë e procesit të zgjerimit", tha Varhelyi.
Ai shtoi se në fund të mandatit të ardhshëm të Komisionit Evropian mund të shohim zgjerimin që po ndodh.
Raportet vjetore të Komisionit Evropian për vendet kandidate, të publikuara sot, tregojnë se krahasuar me vitin 2023, Shqipëria, Mali i Zi dhe Serbia kanë rritur secila nivelet e tyre të përgatitjes në katër nga 33 kapitujt e negociatave.
Kosova dhe Maqedonia e Veriut kanë rritur nivelin e përgatitjes në dy kapituj negociues secili, ndërsa niveli i përgatitjes së Bosnjës dhe Hercegovinës mbetet i njëjtë me atë të vitit 2023.
Çdo raport i Komisionit Evropian përdor shkallën e mëposhtme për të vlerësuar progresin në secilin nga 33 kapitujt e negociatave: faza e hershme, një nivel përgatitjeje, i përgatitur mesatarisht, nivel i mirë i përgatitjes dhe i avancuar.
Kjo shkallë shpesh llogaritet joformalisht dhe numrat nga 1 në 5 i korrespondojnë secilit nivel. Në bazë të kësaj përllogaritjeje, European Western Balkans analizoi vendet e rajonit.
Mali i Zi kryeson me një notë mesatare prej 3.2, në një shkallë nga 1 në 5. Ai ka përmirësuar rezultatin e tij nga 3.12 i vitit të kaluar. Serbia, ndërkohë, ka përmirësuar rezultatin e saj në 3.11 nga 3.05 në 2023.
Niveli i përgatitjes së Maqedonisë së Veriut është 3.09 në shkallën 1 deri në 5, që është gjithashtu një rritje në krahasim me vitin e kaluar kur ishte 3.03.
Progresin më të vogël e ka bërë Shqipëria, e cila hapi grupet e para negociuese këtë muaj. Tirana qëndron në 2.8 që është një përmirësim minimal nga 2.74 vitin e kaluar.
Rezultati i Kosovës në Paketën e Zgjerimit 2024 është 2.02 në një shkallë nga 1 në 5, që është një përmirësim nga 1.98 në vitin 2023. Bosnja dhe Hercegovina, ndërkohë, nuk ka parë përparim në nivelin e përgatitjes dhe mbetet në 1.67.
I pyetur për politikën e jashtme aktuale të Serbisë, Borrell theksoi se vendi duhet të qetësojë Bashkimin Europian për drejtimin e saj strategjik.
Sa i takon dialogu ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Borrell tha se progresi drejt anëtarësimit në BE duhet të shkojë krah për krah me përparimin e dialogut dhe se marrëveshjet duhet të zbatohen.



