Kryeministri Rama e mbylli me një falënderim për kancelarin gjerman dhe presidenten e Komisionit Europian Samitin e Procesit të Berlinit, i cili mblodhi sot në Tiranë liderët e BE dhe ata të Ballkanit Perëndimor. Rama tha se të dy janë forca e qetë që shtyn rajonin drejt BE-së.
“Samiti u mbyll me diskutime të frytshme, me shkëmbime të hapura dhe ndjenjë të vërtetë miqësie. Nuk do gjeja dot kurrë fjalët e duhura për të falënderuar kancelarin, i cili qe i hapur për ta sjellë këtë proces jashtë kufijve të BE. Po ashtu për të falënderuar presidenten.
Ky është një moment i vështirë për këdo, për shkak të krizave të një pas njëshme që kanë goditur të gjithë ne. Këta dy gjermanë krah meje kanë orare e afate të përcaktuara, kështu që nuk dua të marr nga koha e tyre. Pranoni mirënjohjen time për gjithçka po bëni për ne dhe që jeni një fuqi e qetë mbresëlënëse që këmbëngulni për të shtyrë BE dhe Ballkanin për të ardhur më pranë njëri-tjetrit”, tha Rama.



