
Nga dritarja e banesës së tij ku ndodhet në “arrest shtëpie”, ish-kryeministri Sali Berisha iu tha mbështetësve të tij se ditë të bardha po vijnë për demokracinë shqiptare, për Shqipërinë dhe misionarët e shpresës.
Ai deklaroi se këtë bindje e ka pasi historia ka provuar se misionarët nuk mposhten kurrë.
E them këtë sepse historia e PD-së, partisë së idealeve tuaja, aspiratave tuaja, është historia e forcës politike të misioneve të pamundura.
Për këtë, më lejoni t’ju kujtoj vetëm dy raste kur PD ka sjellë dritën nga errësira për Shqipërinë, ka sjellë ditët e bardha për shqiptarët.
Herën e parë ishte viti 1992. Në atë kohë ishim një parti pak më shumë se 1-vjeçare. Nuk kishim asgjë.
Pas 45 vitesh sundim të Partisë së Punës, pushteti dukej i pamundur.
Ne fituam në vitin 1992 dhe kështu sollëm për herë të parë arritjen e parë monumentale që ndau epokat në Shqipëri.
Ne sollëm demokracinë dhe sistemin demokratik.
Unë e di se ka skeptikë vendas dhe të huaj, që do u thonë mos e merrni shembullin e viteve 1991-1992, injorojeni, Berisha është nostalgjik, sot jemi 33 vite larg.
Po, kjo është e vërtetë. Po PD fitoi atëherë se ishte e pamposhtur dhe do fitojë përsëri, sepse qëndron edhe sot e pamposhtur.
Atyre që rasti i viteve ‘90 u duket i largët dhe nostalgjik, u them të ndalemi pak në rastin e dytë më të afërt.
Rasti i dytë që dua t’u kujtoj ju misionarëve të pamposhtur është hera e dytë që erdhëm në pushtet në vitin 2005.
Në atë kohë, sërish situata dukej e pamundur. PD sapo kishte dalë nga periudha e saj më e vështirë në tërë ekzistencën e vet.
Për të shmangur një konflikt të gjerë civil që kërkonte të provokonte me çdo kusht rebelimi komunist, PD dorëzoi pushtetin me zgjedhje dhe doli në opozitë.
U vërsulën në të katër anët që ta shqyenin, ta copëtonin, ta fshinin nga faqja e dheut. Pozitat e tona në atë kohë ishin shumë më të vështira se sot.
Të themi të vërtetën, në fillim pothuajse e gjithë bota, përveç një miku të çmuar që sot nuk është më, austriakut Alois Mock dhe pas tij edhe miqtë e tjerë, ishin kundra nesh.
Të gjithë kërkonin largimin tim, përveçse demokratëve, të cilët për mua ishin bota. Ju jeni bota! Ju jeni bota për Sali Berishën!
Më kujtohet ajo kohë kur mbaja fjalime në oborrin e selisë. Përballë kisha vetëm dhjetëra vetë. Por kisha dhjetëra misionarë.
Ndaj atyre u flisja njëlloj sikur të kisha përballë 1 mijë, 10 mijë, 50 mijë vetë. Secili prej tyre ngjallte tek unë frymëzim të pashterrshëm, besim të pakufishëm.
Logjika çonte shumë veta të mendonin se PD kishte prekur fundin e saj dhe se fundja ajo kishte përmbushur misionin e saj, kishte përmbysur komunizmin dhe kishte sjellë demokracinë.
Në kancelaritë më të fuqishme të botës, gabimisht më kishin hequr vizë.
Në një bisedë në Zyrën Ovale, zyrën më të rëndësishëm të planetit, presidenti i ndjerë Ibrahim Rugova do shprehej se Berisha e kishte mbështetur fort Rugovën dhe Kosovën.
Presidenti Klinton ishte përgjigjur se në ujërat e një lumi nuk mund të lahesh dy herë. Por miq, e shkuara është vetëm prologu.
Në vitin 2005, ata që erdhën me dhunë në pushtet, i përzumë me votën e lirë.
Sali Berisha u la për të dytën herë në ujërat e atij lumi dhe sot nuk ka president, as edhe kryeministër në botë që mund të thotë për Sali Berishën se ky nuk mund të lahet në ujërat e lumit edhe për të tretën herë.
Por edhe po të dalë ndonjë dhe ta thotë sot, mirë është të bëjë kujdes, se nesër kudo që të jetë ai, në detyrë apo pension, do gjejë veten gabim se do shohë PD-në në pushtet dhe Berishën e tretë një sukses tjetër të ri.
Kjo sepse PD është provuar parti e misioneve të pamundshme. Ajo realizon të pamundurën. Ne realizuam ëndrrën.
Ne fituam dhe bashkë me ne fitoi Shqipëria, fitoi kombi, fitoi Kosova, fituan shqiptarët.
Fitoi Shqipëria liberalizimin e vizave, fitoi anëtarësimin në NATO, fitoi projekte si Rruga e Kombit, si TAP-i dhe Devolli.



