
Kryeministri Edi Rama u është kundërpërgjigjur akuzave të kreut të PD-së, Lulzim Basha, në lidhje me ligjin për Teatrin. Gjatë seancës së sotme, ku opozita mungon, Rama nxorri një shkresë, sipas të cilës rezulton se në kohën kur Basha drejtonte Bashkinë e Tiranës, Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës i ka dërguar një shkresë, me anë të së cilës kërkohej privatizimi i Teatrit të Metropolit për llogari të deputetit demokrat Astrit Veliaj.
“Shumë shkurt dua të sjell në vëmendje një shembull kuptimplotë të asaj që është dyfytyrësia e përditshme e atyre që sot mungojnë këtu edhe pse teatrin e kishin lançuar si kalin e tyre të betejës. Mungojnë sepse kanë shkuar në Vlorë për të dëshmuar se si po digjet Vlora. Ajo që më nxori këtu është një shkresë të cilën Florion Mima, ministër i Ekonomisë ia dërgon Lulzim Bashës, kryetar i bashkisë, dhe ja çfarë i kërkon. I kërkon privatizimin e Teatrit të Metropolit, në kllapa shënon Teatri i Estradës, për llogari të deputetit Astrit Veliaj. I vetmi aset kombëtar në dispozicion të Bashkisë së Tiranës i transformuar nga një kafene e degraduar në një teatër të metropolit para se Basha të shkonte në bashki çohet për privatizim, jo për PPP, as për të ndërtuar një teatër të ri të metropolit, në këmbim të kontributit të zotit Veliaj dhe në funksion dhe të një përfitimi legjitim të zotit Veliaj pasi të investonte për teatrin e ri, por për t’u privatëzuar për pallat”, deklaroi Rama.



