
Kriza brenda Partisë Demokratike është tashmë një ndër çështjet kryesore politike më të diskutuara në vend.
Përjashtimi i ish-liderit Sali Berisha nga PD dhe takimet e tij me bazën kanë ngritur dyshimet për përçarjen e PD. Por pyetjes nëse ka një skenar të mundshëm se si mund të përfundojë PD, Ferdinand Xhaferri iu përgjigj nga emisioni “Arnautistan” në MCN TV se Berisha duhet ti qëndrojë asaj që ka thënë dhe ta ndjekë çështjen e shpalljes non grata nga DASH në rrugë ligjore.
“Berisha duhet të qëndrojë tek ajo që ka deklaruar që po e trajton me ligj. Do uroja të gjendej një mënyrë bashkëjetese dhe të mbetemi te fokusi i opozitës që është goditja e kësaj qeverie. Si anëtar i parlamentit kurrë nuk do rreshtohesha në një formacion që shkon kundër aleatit tonë strategjik”, tha Xhaferri.
Ndërkohë drejtuesi i emisionit shtoi se një skenar që qarkullon në publik është se Berishës i duhet PD për tu mbrojtur dhe përmes saj do të tregojë se ka në dorë stabilitetin e vendit.
“Kjo është një betejë që Berisha po e bën për jetë a vdekje dhe PD i duhet për tu mbrojtur dhe në këto rrethana kërkon ta ketë partinë të vetën për të dëshmuar që ka në dorë stabilitetin e vendit”, tha Nano.



