
Deputetja e opozitës, Fatjona Dhimitri nga foltorja e Kuvendit është shprehur kundër shkarkimit të presidentit Ilir Meta. Ajo nuk i kurseu akuzat në drejtim të maxhorancës, ndërsa e cilësoi këtë nismë si një hakmarrje ndaj presidentit.
“Dëshiroj ta nis diskutimin tim me një pyetje; a ka ky kuvend detyrën që të marrë vendim të tillë? Është truk. Kjo shënon njollën më të errët të këtij vendi. Egërsia e sunduesit këtë vend të bekuar e sheh si çiflig të vet. Dora juaj merr hak ndaj çdo kujt që nuk bën kompromis me krimin. Nëse tentohet e kundërta, tentohet t’i mbyllet goja. Pse u dashka gjykuar presidenti apo se në vend të denoncimit të masakrës zgjedhore të 25 prillit, të heshte? Apo se i hodhi drejtë nepotizmit në Shqipëri. Ngritët një komision qesharak. Komisioni hetimor nuk mund të ngrihet 4 muaj para përfundimit të mandatit aktual. Historia do ju gjykoj”, tha ajo.
Ndërsa ministri i Shtetit për Diasporën, deputeti socialist Pandeli Majko ka deklaruar votën pro shkarkimit të Presidentit të Republikës Ilir Meta. Ai tha se Presidenti ka shkelur Kushtetutën, teksa pranoi se kjo votë pro shkarkimit i rëndon por në thelb mbetet sipas tij raporti me të vërtetën.
“Presidenti ka shkelur Kushtetutën dhe betimin e tij. Pozita ime e vështirë. E mora fjalën për të shprehur votën time pro shkarkimit, votë që sigurisht më rëndon shumë, por në thelb ka raportin me të vërtetën. Ilir Meta ka qenë pjesë e jona dhe është votuar nga kjo masë votuesish. Raporti ynë me të vërtetën duhet të jetë i qartë. Do votoj pro, për të tjerat të na gjykojë koha”, tha Majko.



