
Maqedonia e Veriut voton sot për zgjedhjet komunale, për të shtatën herë që nga historia e pavarësisë së vendit. Të drejtë vote kanë 1 824 864 qytetarë.
Në garë për 80 komuna dhe Qytetin e Shkupit janë 299 kandidatë, ndërsa mbi 10,600 kandidatë për këshilltarë komunal dhe këshillin e Qytetit të Shkupit.
Më së shumti kandidatë për kryetar ka për Shkupin, respektivisht 12, ndërsa Struga dhe Dollneni kanë nga 8 kandidat. 24 janë kandidatë të pavarur. Nga kandidatët për kryetar komune vetëm 25 prej tyre janë femra.
Në Maqedoni të Veriut për herë të parë do të votohet me “fingerprint”, pra me mjete për identifikimin e shenjave të gishtave ndërsa janë angazhuar një numër i madh i inxhiniereve kompjuterik për të mirëmbajtur rrjetin dhe sistemin gjatë ditës që votohet.
Gjatë ditës së djeshme të drejtë vote kanë pasur 10.653, një ditë para votimit zyrtar. Procesi u zhvillua në 13 burgje të karakterit hetues dhe ndëshkues. Gjithashtu të drejtën e tyre të votës dje e ushtruan edhe qytetarët e sëmurë, të pafuqishëm, personat e prekur nga covid dhe ata në izolim, si dhe qytetarët që gjenden në shtëpitë e të moshuarve. .
Procesin zgjedhor do ta monitorojnë 1.247 vëzhgues. Prej tyre 870 vendas dhe 367 të huaj. Raundi i dytë i zgjedhjeve lokale do të mbahet më 31 tetor, ndërkaq pritet që shumë komuna të kenë nevojë për votim në rrethin e dytë, sidomos në anën perëndimore të shtetit.



