
Kreu i opozitës Lulzim Basha, në takimin me strukturat e Partisë Demokratike në Prrenjas deklaroi se në fund të kësaj beteje, nuk do të ketë vetëm rotacion politik, por fundi i tranzicionit.
Duke drejtuar gishtin tek Edi Rama si fajtori kryesor për krizën ekonomike e sociale të vendit, Basha tha se PD ka gati planin dhe programin për të kthyer besimin e shqiptarëve tek qeverisja.
“Babëzia me të cilën Rama grabit buxhetin e shtetit, pasurinë e vendit, mineralet, naftën, bregdetin, pyjet, ujrat, guroret, gjithçka është arsyeja pse shqiptarët janë të papunë, pse varfëria thellohet, ndërsa Rama, Dako, Gjiknuri dhe Balla kridhen në lluks dhe përvetësojnë miliona euro” , theksoi Basha.
“Asnjë plan tjetër nuk ka Edi Rama dhe banda e tij përveç grabitjes së pasurive publike si te Teatri Kombëtar ku do të përfitojë 200 milionë euro me 6 kullat e drogës. Asnjë ofertë zhvillimi përveç grabitjes së bregdetit nga Saranda dhe Himara në Shëngjin e Velipojë. Milot-Balldreni, Unaza e Re janë po ashtu grabitje me ligj e dhjetëra miliona eurove nga Edi Rama.”
“Bashkë me 85% të shqiptarëve që duan ndryshim, do ta largojmë këtë bandë. Vendi i tyre është para drejtësisë me pranga në duar, nga i pari tek i fundit. Fundi i pandëshkueshmërisë së pushtetarëve të korruptuar e të lidhur me krimin është fillimi i Shqipërisë si gjithë Europa” , deklaroi lideri i opozitës.
“Ne e dimë që në fund të kësaj rruge nuk do të kemi vetëm rrotacion politik por do të kemi fundin e tranzicionit dhe Partinë Demokratike në krye të aleancës sonë qeverisëse për të hapur rrugën e standardit të vërtetë europian, për të bërë realitet Shqipërinë e standardit europian në çdo fushë. Largimi i Edi Ramës është kusht i parë dhe i panegociueshëm. Vetëm një qeveri tranzitore pa Edi Ramën kryeministër mund të garantojë votën e qytetarët. Ne e dimë se me votë të lirë dhe të ndershme, Rama është larguar, PD është në krye të qeverisjes së ardhshme të vendit", u shpreh Basha
Shefi i opozitës nënvizoi se farsa e 30 qershorit është nul dhe deklaroi se PD dhe opozita do jenë në krah të qytetarëve për të mbrotjur pushtetin lokal nga uzurpimi antikushtetues i tij.
“Ne do të qëndrojmë së bashku, me të gjitha format dhe mënyrat, në krah të qytetarëve, për të kundërshtuar me të gjitha format dhe mënyrat uzurpimin e dhunshëm të pushtetit vendor. Ne nuk pranojmë kurrë këtë uzurpim antikushtetues dhe antiligjor. Aty ku pushteti i paligjshëm, i lindur nga vota e blerë me paratë e drogës dhe të krimit, përpiqet të uzurpojë pushtetin e ligjshëm, pushtetin legjitim të qytetarëve, aty, çdo lloj forme rezistence është legjitime, është e përligjur, dhe ne jo vetëm nuk do ta frenojmë, por do ta inkurajojmë”, deklaroi kreu i opozitës.
Kryetari i PD rikonfirmoi objektivin e opozitës së bashkuar që zgjedhjet parlamentare të parakohshme të zhvillohen në një ditë me zgjedhjet kushtetuese për pushtetin vendor.



