Kur kanë mbetur pak orë kur shqiptarët t’u drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur parlamentin e rij, Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi ka dalë në një konferencë për mediat. Celibashi, ka pasqyruar edhe një herë mënyrën e votimit dhe përgatitjet e fundit për votimin e nesërm të 3 milionë e 588 mijë e 869 shqiptarëve me të drejtë vote.
“Në disa qarqe konkurojnë dhe kandidatë të pavarur. Me qëllim që vota të jetë e vlefshme duhet të votojë në një nga tre mënyrat. Cdo mënyrë tjetër votimi mund të konsiderohet e pavlefshme. Duhet votuar në variantet që janë proopozuar. Informacioni do të paraqitet në hyrje të qendrës së votimit. Në këtë mënyrë ata që do të kenë dilema mund ta marrë infomacionin se kujt kandidat i përket x numër në hyrje dhe brenda qendrës së votimit. Do të vendosen postera të mëdhenj. Cdo votues mundet të konsultojë informacionin në aplikacionin në rrjetet sociale të KQZ.
Procesi që do të zhvillohet në zonën 40 është 100% i garantuar. Nuk ka asnjë lloj mënyre sipas të cilës të verifikohet se kush ka votuar për kë. Kam marr disa shqetësime për sigurinë e procesit, i cili është shumë herë më i sigurtë se ai me fletën e votimit. Ata që duan të shprehin votën e tyre të shkojnë në këtë zonë dhe me siguri të plotë se vota e tyre është e siguruar”.
Sa i përket shitblerjes së votës, Celibashi bëri me dije se ashtu si personi që shet dhe blen votën do të ketë penalitete.
Ai bëri apel që votuesit të mos shfaqen në qendrat e votimit me telefon pasi do të konsiderohet si tentativë për të fotografuar votën.
“KQZ në lidhje me këtë problematikë nuk ka se çfarë të bëjë. Ky fenomen natyrisht që nuk justifikohet. Dua të them që ditën e votimit nuk do të lehojet telefoni. Kushdo që do të shfaqet me telefon do të konsideron si mundësi për të fotografuar votën. Kjo është një masë në kuadër të luftës që të gjithë po bëjnë për të frenuar shitblerjen e votës”, tha Celibashi.
Celibashi ka bërë të ditur se procesi i votimit duhet të fillojë në orën 07:00. Ai i ftoj të gjithë qytetarët që të marrin pjesë masivisht, sidomos të rinjtë dhe ata që votojnë për herë të parë.



