
Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, e cilëson dështim të politikave arsimore mosmbajtjen e premtimit për hapjen e qendrave aftër school. Duke iu referuar investigimit të emisionit “Xhadat”, në MCN TV, Xhixho shprehet se skandali ngre disa pyetje, të cilave duhet t’u përgjigjet Ministria e Arsimit.
Skandali i denoncuar dje në media nxjerr në pah dështimin e projektit “Bëjmë detyrat e shtëpisë” dhe qendrat after school, ku prindërit i çojnë fëmijët, janë pa kontrollin e institucioneve të arsimit.
• “Bëjmë detyrat e shtëpisë”, projekti pilot i tri ministrive, edhe pesë vite pasi u propagandua me të madhe, ka rezultuar dështim total. Asistenca në procesin e të nxënit, në detyrat e shtëpisë dhe ushqimi në katër shkolla të Tiranës nuk është ofruar asnjë ditë të vetme.
• Premtimi i ministres së Arsimit në nisje të këtij viti shkollor për 150 shkolla me programin afterschool është thjesht propagandë boshe.
• Dështimi i programit ia ka hapur rrugën pseudoqendrave të palicencuara. Prindërit që punojnë janë të detyruar të paguajnë për fëmijët në qendra që nuk i kontrollon askush.
Jashtë radarit të Ministrisë së Arsimit, për faj të dështimit të saj, këto qendra ngrenë disa pyetje:
Kush i kontrollon?
Ku konsiston kontrolli më konkretisht?
Sa është numri i këtyre institucioneve në të gjithë vendin?
Sa të sigurt janë fëmijët tanë në to?
Cila është cilësia e mësimdhënies në to?
Si ia paguajnë ato detyrimet shtetit?



