
Kur kanë ngelur edhe dy ditë nga zgjedhjet për kreun e PD-së, në ditën e fundit të fushatës brenda Partisë Demokratike, kandidati për kryetar, Agron Shehaj u bëri thirrje demokratëve të ushtrojnë të drejtën e votës.
Ai shprehet se asnjë komisioner apo komision nuk ka të drejtë t’u heqë demokratëve të drejtën e votës, ndërsa shton se ka ikur koha kur mund të quheshe armik apo të përjashtoheshe nga partia vetëm për mendimet ndaj udhëheqësit të partisë.
Shehaj, tha në rrjetet sociale se çdo demokrat duhet të votojë që PD-ja të rikthehet në ditët e saj më të mira.
“Secili nga ju, nëse keni kartë anëtarësie apo jeni në listën e votuesve të partisë, ka të drejtë të votojë ditën e dielë. Askush, asnjë komisioner dhe asnjë komision, nuk ka pushtetin t’ju heqë të drejtën e votës ditën e dielë, sepse këtë të drejtë ua jep Statuti i partisë. Koha kur mund t’ju quanin armik, t’ju përjashtonin apo t’ju hiqnin votën për mendimet tuaja ndaj udhëheqësit e partisë, vdiq ditën që lindi Partia Demokratike. Mos rrini, dilni në votim. Votoni ndryshimin, që ta kthejmë Partinë Demokratike në ditët e saj të mëdha, në ditët kur ajo ishte =PartiaQëFiton.”



