Gent Strazimiri, deputet i PD-së tha përmes një lidhjeje të drejtpërdrejtë me studion e lajmeve të MCN TV se problemi kryesor në vendin tonë është simbioza e politikës me krimin e organizuar.
Sipas Strazimirit, krimi i organizuar merr pjesë aktive në jetën ekonomike dhe politike të vendit, përcakton deputetët dhe qeverinë.
Duhet shkruar ndryshe ligji, duhet zbatuar ndryshe, duhet të koordinohen ndryshe të gjitha institucionet. Janë probleme që qëndrojnë, por s’janë kryesoret.
Problemi kryesor është simbioza e politikës me krimin e organizuar. Kjo është e provuar nga Sky Ecc. Faktet janë aq kokëforta sa askush nuk mund të fshihet më. Krimi i organizuar merr pjesë aktive në jetën ekonomike dhe politike të vendit, përcakton deputetët dhe qeverinë. Në raportet e OSBE/ODIHR thuhet se organet ligjzbatuese bënë pak ose aspak për të parandaluar këto ndërhyrje.
I pyetur për përfshirjen e noterëve në pastrimin e parave të pista, Strazimiri tha:
Në kënvështrimin tim, çështja nuk është a është përfshirë një noter, janë përfshirë 6 policë apo 16 prokurorë. Është kryeministri, është qeveria e cila jep leje ndërtimi për resorte qindra miliona euro, dy javë pasi grupi kriminal i cili ka kërkuar leje ndërtimi është shpallur në kërkim. Askush nuk është kapur.
SPAK nuk mund të thotë që nuk ka prova, askush nuk mund të thotë që nuk ka prova. Barra e fajit të pastrimit të parave nuk mund të gjendet tek një noter.



