Avokati Rezart Kthupi, thotë se me dërgimin e shkarkimit të tij si kryebashkiak në Gjykatën Kushtetuese, Erion Veliaj i bllokon zgjedhjet në Tiranë.
Duke folur për “MCN Live”, ai deklaroi se kjo lëvizje është në vijim të luftës politike personale që Veliaj ka me Kryeministrin Edi Rama.
Sipas tij, që të fitojë kandidati i opozitës në zgjedhjet e pjesshme në Tiranë, do të ishte mrekullia më e madhe shqiptare dhe se që të ndodhë një gjë e tillë, duhet që opozita të kishte nisur fushatën shumë më parë.
Presidenti e ka për detyrë të marrë opinion nga Gjykata Kushtetuese lidhur me vakancën.
Nuk është një mungesë e prodhuar për shkaqe natyrale, por për shkaqe ligjore dhe ky shkaku ligjor duhet verifikuar nëse është dërguar në Kushtetuese.
Për sa kohë Gjykata Kushtetuese nuk e ka shqyrtuar çështjen, Presidenti nuk mund të shprehet. Të gjitha afatet e Gjykatës Kushtetuese janë të paktën 30 ditë.
Por ndërkohë do mbahen peng edhe 5-6 bashki të tjera të cilat do të shkojnë në procesin e zgjedhjeve.
Kemi bashki me vakancë ligjore prej 11 majit, Këshilli i Ministrave nuk po kërkon dekretimin e datës së zgjedhjeve, pasi i do njëherësh me Tiranën.
E shkelim ligjin se kemi një betejë politike për Tiranën. Dërgimi në Gjykatën Kushtetuese nuk shkakton asnjë efekt pozitiv, përveçse do mbante peng zgjedhjet në bashkinë Tiranë.
Ai ka një luftë specifike me zotin Rama, kanë një luftë e cila nuk është e re dhe deri më tani zoti Rama ka dalë fitimtar.
Veliaj do të mbrojë se unë jam kryetari në detyrë i bashkisë Tiranë, për të qenë koherent në ankim.
Praktikisht në Shqipëri nuk ka asnjë rast të vetëm në 35 vite që një kandidat i opozitës të ketë mundur një kandidat të mazhorancës në zgjedhjet e pjesshme vendore.
Që opozita të mundë mazhorancën duhet të kesh fushatë më të gjatë.
Nëse je në opozitë, ti duhet të nisësh fushatën shumë para mazhorancës, që të mbushësh hendekun që krijon pushteti.
Bashkia Tiranë ka një shoqëri shumë më të civilizuar dhe fleksibël se pjesa tjetër e vendit, por nga ana tjetër ka dhe një rrjet të jashtëzakonshëm interesash.
Që të fitonte kandidati i opozitës, do ishte mrekullia më e madhe shqiptare.



