Sot në mbarë botën shënohet Dita Ndërkombëtare e Grave në Diplomaci. Në kuadër të kësaj dite, ministrja për Evropën dhe Punët e jashtme, Olta Xhaçka u shpreh sot krenare që gratë e vajzat përbëjnë 57% të shërbimit të jashtëm shqiptar dhe shumica e misioneve tona më të rëndësishme përfaqësohen nga ambasadore gra”. Duke e bërë më të hapur Shërbimin e Jashtëm, Shqipëria e ka riaktivizuar dhe rigjallëruar atë, theksoi ministrja Xhaçka. “Tradicionalisht shërbimi i jashtëm është parë si fushë për burrat, ashtu si ushtria apo policia. Jam suprizuar kur mësova nga diplomatë më të vjetër se në të kaluarën, pranimi në Shërbimin e Jashtëm Shqiptar, ishte në një farë kuptimi edhe më i vështirë për një grua sesa të pranohej në ushtri apo polici. Nuk kishte asnjë ligj, asnjë rregullore që ndalonte gratë të kishin një karrierë në diplomaci. Por kishte paragjykime dhe kishte diskriminim. Gratë konsideroheshin të dobëta, pa kredibilitet për t´ju besuar sekretet e shtetit”, tha Xhaçka. Por, u shpreh ministrja, “kur shikoj situatën sot dhe e krahasoj me këtë të kaluar të vështirë dhe sfiduese, kuptoj se ka shumë për të festuar. Diplomacia shqiptare po përjeton sot një moment shumë të suksesshëm. Asnjëherë më parë vendi nuk ka qenë kaq aktiv dhe kaq i pranishëm në çështjet botërore”. “Gratë kanë luajtur një rol vendimtar në këto arritje. Sot, gratë dhe vajzat përbëjnë 57% të Shërbimit të Jashtëm të Shqipërisë. Shqipëria përfaqësohet nga gra ambasadore në disa prej misioneve të saj më të rëndësishme, nga Brukseli, në Uashington, në OSBE e shumë të tjera. Duke e bërë më të hapur Shërbimin e Jashtëm, Shqipëria e ka riaktivizuar dhe rigjallëruar atë. Kështu janë dyfishuar talentet në dispozicion të diplomacisë shqiptare dhe është pasuruar Shërbimi me ide të reja”, nënvizoi Xhaçka. “Rezultatet janë aty për t’i parë të gjithë. Jo vetëm në diplomaci, sepse ajo që ka ndodhur në diplomaci është vetëm një pjesë e një përpjekjeje shumë më të gjerë në Shqipëri për të fuqizuar gratë dhe për t’u dhënë atyre një rol të rëndësishëm në drejtimin e vendit. Nga ushtria te policia, te administrata dhe sigurisht parlamenti dhe qeveria, gratë shqiptare tashmë janë të përfaqësuara dhe po bëjnë ndryshime pozitive në të gjitha fushat e jetës”, theksoi Xhaçka. “Kjo është arsyeja pse, gjatë Kryesimit të OSBE-së të Shqipërisë dhe aktualisht në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ne kemi përcaktuar tematikën: ‘‘Gratë, Paqen dhe Siguria një nga prioritetet tona kryesore“. Ne besojmë se kemi detyrimin ta ndajmë këtë përvojë pozitive me botën, sepse ajo na ka mësuar se kur grave iu jepet fjala, përfiton shoqëria në tërësi”, përfundoi Xhaçka video mesazhin me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Grave në Diplomaci.



