Zbardhet draft-opinioni i Komisionit të Venecias për emërimet në Gjykatën Kushtetues, e që pak muaj më parë përplasi maxhorancën dhe Presidentin e Republikës.
Venecia shprehet se sa i përket procedurës së emërimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, teksa pezullimi i procedurës së emërimit nuk parashikohet në ligj, ky ka qenë nga Presidenti një reagim për situatën e paqartë ligjore, e cila nuk mund të zgjidhet në mungesë të Gjykatës Kushtetuese.
Sipas Venecia, pezullimi tregoi që presidenti dëshironte të ushtronte fuqinë e tij emëruese që i jep Kushtetuta dhe kjo është konfirmuar nga emërimi i kandidatit të tij menjëherë pas përzgjedhjes së një emri nga Parlamenti.
Sipas Venecias, kjo justifikon veprimin e Presidentit për të refuzuar ceremoninë e betimit të një kandidati që u zgjodh ndryshe nga procedura, duke iu referuar Arta Vorpsit.
“Ndërsa një pezullim i tillë nuk parashikohet me ligj, ai ishte një reagim ndaj një situate të pasigurisë juridike, e cila nuk mund të zgjidhej në mungesë të Gjykatës Kushtetuese. Pezullimi tregoi se Presidenti ende dëshironte të ushtronte pushtetin e emërimit që gëzon sipas Kushtetutës dhe kjo u konfirmua nga emërimi i tij për një kandidat menjëherë pas zgjedhjes së kandidatit të Parlamentit. Në këto rrethana, duket se është e arsyeshme të pranosh emërimin e vonuar të një kandidati të dytë nga Presidenti. Prandaj duket e arsyeshme që Presidenti nuk pranoi betimin e gjyqtarit që u konsiderua i emëruar automatikisht”, vlerëson Komisioni i Venecias.
Rasti i zonjës Vorpsi, e cila sipas shumicës duhej konsideruar e zgjedhur automatikisht pasi Presidenti nuk pranoi betimin e saj, bëri që socialistët të ndërmerrnin një nismë ligjore për të anashkaluar betimin e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese vetëm para Kreut të Shtetit. Por dhe për këtë ekspertët e Venecias janë shprehur kritikë.
“Sipas mendimit të Komisionit, kushtetuetshmëria e këtij ndryshimi është e dyshimtë pasi Kushtetuta shprehet qartë se betimi duhet të jepet "para" Presidentit. Për më tepër, dispozita e miratuar është shumë e paqartë. Nëse vlerësohet e nevojshme për të shmangur ngërçin në raste të qarta abuzimi, një dispozitë e formuluar më qartë mund të miratohet në nivelin kushtetues”, vlerëson draft opinioni.
Në përfundimet e tyre ekspertët e Venecias e shohin tejet probelmatike situatën e krijuar në Shqipëri, ku ende Gjykata Kushtetuese dhe ajo e lartë nuk janë plotësisht funksionale.
Sipas tyre “kriza kushtetuese në Shqipëri nuk është shkaktuar nga një akt specifik, por është pasojë e ndërveprimit të disa faktorëve” duke vlerësuar se “procedura e nevojshme e vettingut pati efekte më të gjera nga sa parashikohej fillimisht. Si pasojë, ndër të tjera, të procedurës gjithëpërfshirëse të verifikimit, Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese janë bërë jofunksionale”, apo dhe se “problemet në zbatimin e dispozitave të paqarta (kushtetuese) janë përkeqësuar nga fakti se nuk ka Gjykatë Kushtetuese dhe nga fakti që procedura është bërë objekt i luftës ndërmjet Parlamentit dhe Presidentit”.



