
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, priti këtë të premte në një takim kryeministrin e vendit tonë Edi Ramën. Në njoftimin për shtyp të shpërndarë nga zyra e kancelares gjermane thuhet se gjatë takimit bisedimet mes tyre janë përqendruar në marrëdhëniet bilaterale, por edhe në çështjet e politikës evropiane dhe çështjet rajonale.
Në lidhje më çështjen e hapjes së negociatave, Bundestagu do vendosë në fund të muajit. Merkel ka përsëritur qëndrimin pro të Gjermanisë për pranimin e Shqipërisë në NATO, në vitin 2009. “Gjermania mbështeti pranimin e Shqipërisë në NATO në vitin 2009, dhe mbështet pranimin e shtetit të Ballkanit në Bashkimin Evropian", thuhet në njoftim.
Gjatë konferencës së Ballkanit Perëndimor në Posen, më 5 korrik 2019, kancelarja pranoi se pavarësisht vazhdimit të vështirësive politike, kishte përparim të rëndësishëm në të gjithë rajonin”, thuhet në reagimin e kancelarisë gjermane.
Më tej, kancelarja Merkel theksoi se Gjermania shpreh gatishmërinë e plotë për të kontribuar në kushte demokratike dhe kushtetuese në Shqipëri. “Gjermania ka një interes të fortë për të kontribuar në kushte të qëndrueshme, demokratike dhe kushtetuese në Shqipëri duke mbështetur procesin e transformimit të saj”, theksohet ndër të tjera në njoftimin e shpërndarë nga zyra e shtypit të kancelares Merkel.



