
Partia Demokratike e cilëson teatër hipokrizie konsultimin me shoqërinë civile në lidhje me propozimin e saj për vetingun në politikë. Gjatë mbledhjes së Këshillit të Legjislacionit, deputeti i PD-së, Enkelejd Alibeaj, i cili ishte i vetmi që mori pjesë nga opozita, tha se mazhoranca ka vendosur tashmë për të mos e pranuar këtë proces.
“Ky është një teatër hipokrizie që po zhvillon Komisioni i Ligjeve dhe Këshilli i Legjislacionit me një qëllim të vetëm, për t'i hedhur hi syve të publikut. Përfundimi i kësaj procedure, e cila ka shndërruar në mënyrë aspak elegante dhe një procedurë përdorimi dhe fasade të qëndrimit që këta zotërinj nuk duan ta shprehin publikisht, mohimin total të kësaj kërkese urgjente, emergjente, uluritëse të publikut shqiptar është thjesht për të blerë kohë, duke bërë një teatër”, tha Alibeaj.
Deputeti demokrat tha se përfaqësuesit e shoqërisë civile po përdoren si fasadë.
“Konsiderata që unë kam me respektin më të madh për ju 5 përfaqësues të shoqërisë civile është që të mos lejoni veten tuaj që mos përdoren si fasadë, për këtë qëllim të mohimit të vetingut në politikë, të përdoreni nga këta. Do të ishte shërbimi më i keq që i bëhet publikut. Ju keni krijuar emrin tuaj, eksperiencën tuaj vetë me kontributin tuaj, pa asnjëlloj ceni, pa asnjë lloj korruptimi me politikën. Nuk jeni thirrur asnjëherë në çështjet më delikate që ky Parlament dhe kjo godinë ka diskutuar historikisht, asnjëherë nuk ju ka thirrur. Ju thërrasin sot! Për një çështje që e kanë dhënë verdiktin. Nuk e duan! Sot janë duke luajtur teatrin hipokrit të radhës, gjasme po konsultohen me shoqërinë civile”, tha ai.



