
Ish-kryetari i Partisë Socialiste Sarandë, Gjergj Mërkuri, hedh akuza ndaj partisë që ai dikur përfaqësonte se po e ndalon të kandidojë si i pavarur në zgjedhjet lokale të 14 majit.
Me anë të një mesazhi publik ai denoncon se në selinë e Partisë Socialiste në Sarandë po thirren qytetarët që kanë firmosur për hyrjen e tij në garë dhe po u bëhet presion që të tërheqin firmën.
Sipas tij, qytetarët po kërcënohen me vendet e punës, me gjoba në bizneset e tyre dhe me çdo lloj forme përmes makinerisë shtetërore vetëm që të deklarojnë së nuk kanë firmosur formularët e dorëzuar në KZAZ.
Komiteti nismëtar i cili po punon me mua po mbledh provat e nevojshme për të kallëzuar në SPAK këta banditë të cilët po shkelin rëndë Kodin Zgjedhor.
Prokuroria të sekuestrojë menjëherë kamerat rreth godinës së Partisë Socialiste në Sarandë dhe të vërë përpara drejtësisë personat të cilët marrin peng me kërcënime qytetarët dhe u bëjnë shantazh.
Pasi dështuan me kërcënime në KZAZ për të ndaluar regjistrimin tim, tashmë kanë kaluar në planin B duke marrë në mënyrë të paligjshme listat e personave që kanë firmosur dhe duke i kërcënuar të tërhiqen.
Çdo person i përfshirë është me emër dhe mbiemër dhe do të kallëzohet penalisht.
Mërkuri i bën thirrje Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, prezencës së OSBE-ODHIR në Shqipëri, ambasadës së Bashkimit Europian dhe ambasadës së Shteteve të Bashkuara që të ndalojnë këtë akt kriminal.
Ndër të tjera nënvizon se i gjithë ky angazhim i atyre që i quan “banditë” bëhet me qëllimin e vetëm për të ndaluar kandidimin e tij, për shkak të mbështetjes që qytetarët kanë shprehur menjëherë pas publikimit të kandidaturës.



