
Luan Baçi, deputet i PD-së, i cili u shkarkua nga Lulzim Basha si kreu i PD në Fier tha nga emisioni “Të Paekspozuarit” në MCN TV se është njoftuar përmes emailit dhe nuk ka pasur asnjë kontakt në lidhje me shkarkimin e tij. Ai theksoi se do vijojë të jetë në shërbim të PD pavarësisht pozicionit.
I pyetur nga gazetari Arian Çani se kush e mbanë vulën e kryetarit të degës, Baçi u përgjigj se e mban sekretari.
“Unë vazhdoj të jenë në shërbim të PD pavarësisht pozicionit. Kjo shkresë ka ardhur me email dhe nuk kam asnjë kontakt. Kryesia e degës pasi u njoh me vendimin e kundërshtoi duke thënë që nuk mund ta pranojnë. Vulën e PD nuk e mbaj unë e mban sekretari. Unë jam i gatshëm që vendin e kryetarit të degës me zgjedhje të lira të jetë kush të dojë që merr votat”, tha Baçi.
Pas përgjigjes së tij Çani ngriti sërish pyetjen nëse vulën e kryesisë së PD e mban Lulzim Basha apo Gazment Bardhi, pyetje për të cilën nuk mori përgjigje. Çani tha se çështja e vulës nuk duhet marrë me të qeshur pasi në fund njerëzit mendojnë do ta mbaj Basha apo Berisha PD-në.
“Unë kam një parandjenjë që gjithë kjo gjë në fund do të mbetet te vula. Vulën e ka Basha apo Gaz Bardhi. Procedura është e rëndësishme për gjykatat dhe institucionet, unë jam njëri i thjeshtë. Vulën e mban Gaz bardhi apo Basha? Ajo që unë them është se nuk duhet marrë me të qeshur çështja e vulës. Se në fund farë njerëzit mendojnë do ta mbaj Basha apo Berisha PD-në. Një nga palët në fund do shkojë në gjykatë. Pse Basha hesht? Sepse ka vulën”, tha Çani.



