
Beteja politike mes LSI dhe kryeministrit Edi Rama sa vjen bëhet edhe më ashpër. Pas akuzave të kryetares Monika Kryemadhi e cila në një dalje për mediat theksoi se Rama shumë shpejt mund të jetë një i pandehur për drejtësinë, vjen edhe reagimi i parë.
Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së i ka kërkuar Prokurores së Përgjithshme Arta Marku informacion mbi një kërkesë padi që kjo forcë politike ka depozituar në organin e akuzës kundër Kryeministrit Edi Rama.
Më konkretisht, LSI i referohet padisë mbi thirrjet e kreut të qeverisë gjatë një mitingu në Kuçovë në kuadër të zgjedhjeve parlamentare të 25 qershorit, ku ai i bëri thirrje punonjësve të policisë që të angazhohen në fushatë dhe të mbështesin PS-në.
"Lëvizja Socialiste për Integrim ka dërguar pranë institucionit tuaj një material të detajruar me nr. 142/2 prot, datë 17.06.2017 me lëndë: "Përcillen shqetësime mbi veprimet antiligjore dhe thirrjet anitkushtetuese të kryeministrit të vendit gjatë mitingut elektoral në Kuçovë për pjesëmarrje dhe aktivizimin e punonjësve të policisë së shtetit në fushatë dhe aktivitet elektotral në mbështetje të PS.", ku provohet shkelja e ligjit dhe kushtetutës nga ana e kryeministrit Edi Kristaq Rama.
LSI shprehet në padinë e saj se thirrjet e Ramës janë anti-kushtetuese, ndërsa i kërkon kryeprokurores një informacion mbi hetimin e çështjes. Padia është depozituar në organin e akuzës më 17 qershor 2017.




