
Lideri i Partisë Demokratike Sali Berisha ka ndarë sot një mesazh për demokratët në 6 degët ku votohet nga anëtarësia e Partisë Demokratike, përkatësisht Komisionit për Rithemelimin, për të përzgjedhur kandidatët për drejtimin e bashkive që do të marrin pjesë në zgjedhjet e 6 marsit.
Berisha uron që zoti të bekojë votën e lirë të demokratëve.
Sot demokratët dhe demokratet e 6 degëve të Partisë Demokratike votojnë në Primare! Zoti e bekoftë votën e tyre të lirë! sb
Nga ana tjetër, Komisioni i Rithemelimit ka bërë të ditur se procesi i votimit në të gjashtë bashkitë po vijon normalisht.
Me anë të një deklarate, komisioni sqaron se te të 9 qendrat e votimit ka nisur votimi që në orën 08:00.
Njoftimi i plotë:
30 janar 2022 Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale pranë Partisë Demokratike (PD) informon: Të 9 Qendrat e Votimit (3 QV në Shkodër, 2 QV në Durrës, 1 QV në Dibër, 1 QV në Lushnjë, 1 QV në Rrogozhinë dhe 1 QV në Vorë) janë hapur në orën 8. Procesi i votimit ka nisur i qetë e pa probleme. Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale fton çdo anëtar të PD në 6 degët e PD ku po zhvillohet procesi i votimit për Primare, të ushtrojë të drejtën e votës për të zgjedhur përfaqësuesin e tyre në garën për kryetar bashkie. Primaret, si ushtrim i demokracisë së drejtpërdrejtë tashmë e kalojnë vendimmarrjen te anëtarësia. Komisioni do të informojë në mënyrë periodike publikun në lidhje me ecurinë e procesit të votimit për Primare.



