Në një intervistë në studion e MCN TV, gazetari Mustafa Nano tha se investimi në Sazan e Zvërnec është ndër më të rëndësishmit e bërë ndonjëherë në Shqipëri. Ai e cilësoi protestën që mbahet prej disa ditësh në sheshin para Kryeministrisë si shfryrjen e një zemërimi të akumuluar. Nano tha se protesta duhet të ketë lidership dhe kërkesa të artikuluara qartë.
Unë nuk jam fans i kësaj proteste në kuptimin e kauzës. Këta ngrihen kundër një investimi, që mund të jetë ndër më të rëndësishmit të bërë ndonjëherë në këto troje. Kërkesa për transparencë bën kuptim dhe duhet ta bëjë këtë qeveri të mendohet mirë. Kryeministri nuk e ndien të nevojshme të bëjë transparencë mbi një gjë kaq të madhe.
Këta njerëz janë të zemëruar me këtë qeveri. Është zemërim i akumuluar. E kanë me të gjithë, por në radhë të parë me qeverinë. Ata kanë gjëra që kam edhe unë: mungesa a transparencës, fakti që një njeri ka në dorë gjithçka, vendos për gjithçka, një njeri që nuk qeveris, por sundon. Janë njerëz që i kanë vjedhur partitë. Janë shumë gjëra që nuk funksionojnë, që nga parkimi kur del nga shtëpia. Njerëzit kanë akumuluar dhe janë derdhur aty sapo gjetën rastin e parë. Ndoshta kauza nuk i bind as ata, por është një sebep për të dalë.
Manipulimet ndodhin në çdo kohë. Nuk merrem me to. Jo po Greqia, jo po Serbia. Nuk merrem me këto. Aty kanë dalë ca njerëz që kanë ca kërkesa të caktuara, lidhur me transparencën.
Kjo protestë nuk më pëlqen sepse nuk ka lidership. Nëse mikrofonin e merr kushdo, banalizohet. Të mos e lëmë të shkërmoqet. Problemi i dytë i protestës është që duhet të organizohen politikisht. Unë nuk mund të them fjalë të mira për protestën nëse vazhdon pa qëllim, kaotike. Çfarë qëllimi kanë? Të rrëzojnë Ramën që të vijë Berisha? Nuk e besoj këtë!
Janë gjithë ata njerëz, duhet të dalë dikush në mënyrë që protesta të mos shkërmoqet. Kur lidershipi ekspozohet është më e vështirë të blihet. Duhet të nxjerrin fytyrën e tyre në shesh. Nëse duam që ne t’i marrim seriozisht, ata duhet të nxjerrin një skuadër drejtuese.
Lidhur me projektin, Nano tha se pika më e dobët është mungesa e transparencës nga ana e qeverisë shqiptare. Sipas tij, një investim i tillë mund të bëhej edhe nëse ata që protestojnë sot në shesh do të vinin në pushtet.
Te Zvërneci shoh të vetmin problem transparencën. Jam pro atij investimi dhe çdo investimi tjetër të rëndësishëm. Vërtet ajo është e bija e Trump dhe Rama ma merr mendja e ka shfrytëzuar këtë për të forcuar raportet me Shtëpinë e Bardhë. Por duhet të kishte transparencë.
Edhe këta që kanë dalë në rrugë, po të vijnë në pushtet atë investim kanë për ta bërë. Nuk e kam idenë për Sazanin por për Zvërnecin, do të jetë një investim serioz. Është një biznes që do të sjellë para në arkën e shtetit. Është një ngjarje e bukur në planin ekonomik. Këto gjëra nuk manipulohen.
Është një protestë e bukur edhe në aspektin viziv. Janë njerëz qytetarë. Nuk kanë pasur probleme. Por unë e përsëris, këta duhet të nxjerrin 4-5 vetë. Ata njerëz duhen përfaqësuar nga një zë. Duhet hequr dorë nga gjyqet sheshit dhe duhen përcaktuar objektiva politikë.
Vë re një tendencë te Rama apo enturazhi i tyre politik. roli i Serbisë, roli i Greqisë. Janë teori konspirative që duan ta diskreditojnë protestën. Aty kanë dalë mijëra njerëz dhe janë njerëz të bukur.
Berisha e bën për të mos e prishur me amerikanët. Ai fle me asociacionin e nongratës dhe po me të zgjohen. Çfarëdo që të bëjnë amerikanët, edhe ti futen në shtëpi, nuk nxjerr një fjalë të keqe.



