Analisti Sami Neza tha në MCN Live se Edi Rama ka qenë i paqartë në raport me SPAK-un, duke përdorur standarde të dyfishta, ku u kërkon të tijve të mos artikulojnë mbi Prokurorinë e Posaçme.
Sipas Nezës Rama po krijon barriera ndaj SPAK-ut për veten më shumë se për Veliajn.
“Në raport me SPAK-un, Rama është i paqartë në pozicionin e tij. Një ditë para se t’i niste mesazhin Xhafajt, mbajti një fjalim bashkë me rektorin e UBT dhe i bëri presion SPAK-ut. Unë e lexoj si presion. Ka krijuar nivele reagimi ndaj SPAK-ut, një është e kritikës së fortë ku përpiqet të relativizojë efektet e arrestimit të Veliajt në publik. U bën thirrje të vetëve që të mos artikulojnë ata në lidhje me SPAK-un, ky është një ‘double standards’. Unë e shoh si një krijim të një barriere ndaj SPAK-ut të Ramës për veten e tij, më shumë se për Veliajn. Mesazhi që i ka dërguar një deputeti të PS, është argument që e mbështet këtë”.
Sa i takon ndryshimeve në raport me SPAK, që kërkon PS dhe PD, Neza thotë:
“Që të dy palët janë për ndryshime në SPAK, apo për reformim. Por ndryshimi kryesor është që Berisha thotë që do t’i referohet një institucioni ndërkombëtar, përmes Komisionit të Venecias. Kjo na lë përshtypjen se mund të kemi një vendimmarrje që do ta cenojë SPAK-un. Në fillim e kishte shkrirje, më pas ka ardhur duke e relativizuar, duke thënë që s’pranojmë një Prokurori politikë. Problemi i dytë lidhet me kontrollin. Berisha thotë do gjejmë një instrument jashtë, që është i besueshëm, ndërkohë që socialistët s’kanë një adresë të tillë, dhe burimi i tyre është Komisioni Xhafaj dhe i referohen pushtetit legjislativ. Pavarësisht se një pjesë e tyre është në konflikt interesi kur flet për SPAK-un, janë identifikuar problematika. Zgjidhja që propozohet, është shumë më mirë që ta bëjnë ndërkombëtarët, siç është Komisioni Venecias. Nuk vjen nga një pushtet, por një institucion që prodhon vetëm këshilla. Por e konsideroj të pamjaftueshme këtë gjë. Duhet të diskutohet me gjykatësit, prokurorët, grupet e interesit, të përfshihet patjetër edhe shoqëria civile. Nuk duhet cenuar integriteti aq i nevojshëm që u duhet organeve të drejtësisë”.



