Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka pohuar sot se ishte i befasuar nga deklarata e Kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, dhe deklarimet e tij për një marrëveshje finale në mes të Kosovës dhe Serbisë e përgatitur në Bruksel.
“Jam befasuar nga ajo deklaratë. Askush nga Brukseli nuk e mohoi atë, ata vetëm mohuan shkrimin e gazetës serbe”, në fjalimin e tij në presidencë.
Ai ka shtuar se “politika e Serbisë është të ruajë paqen dhe stabilitetin për qytetarët e saj dhe tërë rajonin, dhe kjo është arsyeja pse ne kemi pranuar që në thelb të marrim pjesë në dialogun e sponsorizuar nga BE për marrëdhëniet tona me Prishtinën, në mënyrë që të zgjidhim problemet shekullore në interesin më të mirë të serbëve dhe shqiptarëve”.
Gjithashtu ka thënë se është gabim të mendohet që Serbia do ta njohë Kosovën pa marrë asgjë në këmbim.
“Në nuk dimë asgjë rreth kësaj çështje. Ajo që dimë është që ne duam të negociojmë për temat që janë në tavolinë, ne duam të bisedojmë rreth përmbushjes se marrëveshjeve që janë nënshkruar në vitin 2013, që është Asociacioni i Komunave Serbe. Ne s’jemi të interesuar se çfarë është në përputhje e çfarë nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Ne duam biseda konkrete dhe serioze. Por nëse dikush mendo që Serbia do të jetë një ‘jackpot’, dhe që ne do të duhet ta njohim Kosovën dhe të mos marrim asgjë, e ka gabim dhe nuk do të na çojë asgjëkundi”, ka thënë Vuçiç.
Sipas Vuçiç kjo është edhe arsyeja pse serbët po shkojnë në dialog, për të diskutuar çështje që prekin jetën e qytetarëve.
“Marko Gjuriq, është absolutisht i përgatitur për të diskutuar të gjitha çështjet ekonomike, personat e zhvendosur brenda vendit dhe personat e zhdukur”, tha Vuçiç në fjalimin e tij para publikut.
Sot në Bruksel do të vazhdojnë takimet e ekipeve të ekspertëve në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Përfaqësuesit e Bashkimit Evropian qysh në mëngjes sot kanë zhvilluar takime bilaterale me delegacionet e Kosovës dhe Serbisë dhe një takim trepalësh do të mbahet sot gjatë ditës, ku do të marrin pjesë ndërmjetësuesit nga BE dhe dy delegacionet nga Kosova dhe Serbia.
Delegacionin e Kosovës e drejton Skënder Hyseni derisa atë të Serbisë, Marko Gjuriq.



