
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, po mban takim me krerët e partive politike parlamentare për të diskutuar lidhur me caktimin e datës të mbajtjes së zgjedhjeve të rregullta parlamentare.
Në takim nuk ka ardhur asnjë përfaqësues i partisë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje.
Në takim janë kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ai i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku e kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj. Mimoza Kusari-Lila përfaqëson partinë Alternativa, kurse Faton Peci udhëheq “Listën GUXO”.
Në ftesën që presidentja u ka dërguar liderëve partiakë është paraparë që zgjedhjet të mbahen mes datave 26 janar dhe 16 shkurt të vitit 2025.
Viti 2025 do të jetë vit i rregullt zgjedhor dhe nëse partitë vendosin që të mbahen zgjedhje të rregullta dhe jo të parakohshme, atëherë Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti do të bëhet Qeveria e parë që nga shpallja e pavarësisë, që do të përfundojë mandatin e plotë katërvjeçar.
Zgjedhjet e rregullta duhet të mbahen në periudhën nga 26 janar – 16 shkurt të vitit 2025.
Për një kohë të gjatë, partitë opozitare kanë kërkuar mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, por më herët gjatë këtij viti dështuan të arrinin pajtim se si të shkohet në zgjedhje.
Në fund të majit dështoi një nismë e subjektit më të madh opozitar, Partia Demokratike e Kosovës, që në zgjedhjet të shkohet përmes shpërndarjes së Kuvendit.



