
Vajza e ish-Sekretares Amerikane të Shtetit Madeleine Albright, Alice Albright, e ka vizituar sot Kosovën pas investimeve disamilionëshe të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC).
Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit, shefe ekzekutive e së cilës është Alice Albright, është një ndër investitorët më të mëdhenj në botë.
Disa miliona euro nga kjo kompani janë investuar edhe në Kosovë.
Kosova dhe MCC-ja e kanë nisur partneritetin më 12 shtator 2017, kur presidenti i atëhershëm Hashim Thaçi, kishte nënshkruar marrëveshje për investimin e 49 milionë eurove në efiçiencë të energjisë dhe luftë kundër korrupsionit.
më 27 korrik të këtij viti, është nënshkruar marrëveshja 236 milionëshe.
Sipas kësaj marrëveshjeje, do të rritet fleksibiliteti i rrjetit energjetik të vendit dhe do të zvogëlohet kostoja e sigurimit të energjisë.
Shefja ekzekutive e Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), Alice Albright, e cila është vajza e tashmë ish-sekretares së ndjerë amerikane Madeleine Albright, erdhi në Kosovë me rastin e përmbylljes së programit pesëvjeçar të pragut.
Ajo të hënën është takuar me presidenten e vendit Vjosa Osmani, me kryeministrin Albin Kurti dhe kryetarin e Kuvendit Glauk Konjufca. Ndërkaq, sot ishte në lagjen Ulpiana në Prishtinë, për të bërë inaugurimin e soliterëve të renovuar pikërisht nga MCC-ja. Aty ajo u takua edhe me kryetarin e Prishtinës Përparim Rama, ministren e Ekonomisë Artane Rizvanolli, si dhe drejtorin e Fondacionit të Mileniumit në Kosovë (MFK), Petrit Selimi.
Pas kësaj, ajo e ka vizituar edhe Vitinë, ku është nderuar me titullin “Çelësi i Qytetit”, nga kryetari i kësaj komune, Sokol Haliti.



