
Menjëherë pas publikimit të dokumentit nga Partia Demokratike për urdhër-arrest nga Gjykata e Janinës, ka ardhur edhe reagimi i kryebashkiakut të Vorës, Agim Kajmaku. Ky i fundit i ka hedhur poshtë akuzat e demokratëve, se është arrestuar në Greqi për falsifikim parash.
Në Facebook, Kajmaku thotë se kurrë nuk është marrë më trafiqe apo me krime, dhe pranon ndryshimin e emrit, por thekson se ka punuar për të nxjerrë bukën e gojës në Shqipëri e në emigracion.
“Partia Demokratike po merret me limona dhe me mandarina emigrantësh shqiptarë, të cilët halli i ka shtyrë të punojnë në një vend të huaj! Ata bëjnë sikur nuk e dinë se çfarë kanë hequr shqiptarët për të mbijetuar me emra e me mbiemra nga më të ndryshmit në Greqi. Në fakt PD është limoni i shtrydhur që s’i duhet më asnjeriu”, shkruan Kajmaku.
Kryebashkiaku i Vorës thotë se do të vazhdojë të qëndrojë në krye të detyrës. Kajmaku thekson se fjalën e fundit do ta thonë autoritetet.



