
Dy pikat kufitare që lidhin Kosovën me Serbinë vijojnë të jenë të bllokuara nga kamionët e vendosur nga banorët serbë të Veriut, pas zbatimit të reciprocitet për targat e automjeteve.
Kësisoj dita e katërt e bllokimit të rrugëve kryesore në Jarinjë dhe Bërnjak, pas një nate tjetër të qetë që kaloi pa incidente, ku protestuesit kanë qëndruar gjatë natës në rrugët pranë Jarinjës dhe Bërnjakut, ka bërë që të shtohen forca të shumta të Njësisë speciale të Policisë së Kosovës.
Sipas autoriteteve kosovare, banorët serbë kanë përforcuar pengesat në rrugë duke shtuar kamionët.
Protestuesit kanë vendosur serish një banderolë të madhe ku thuhet “Mirë se vini në Asociacionin e Komunave Serbe”, ndërsa mediat serbe raportojnë se, për këtë veprim , janë arrestuar tre protestues.
Ndërkohë, Drejtori i Zyrës për Kosovën dhe Metohinë, Petar Petkovic, tha se udhëheqësit serb do të pranojnë të bisedojnë me palën kosovare vetëm kur situata të rikthehet në normalitet.
“Beogradi gjithmonë ka këmbëngulur për paqen, dialogun, të gjitha çështjet e hapura për t’u zgjidhur në Bruksel, për të respektuar marrëveshjen e Brukselit, por kosovaret vendosën të vendosin ushtarët në veri të Kosovës duke krijuar një realitet shumë ndryshe. situata duhet të kthehet në periudhën para 20 shtatorit, dhe vetëm atëherë do të bisedojmë”.
Qeveria e Kosovës nisi nga dita e hënë zbatimin e reciprocitetit për targa me Serbinë duke vënë targa të përkohshme për veturat me targa të Serbisë që hyjnë në territor të Kosovës.
Kjo e tensionoi shumë situatën në veri të vendit, ku qytetarët serbë në shenjë proteste bllokuan rrugët në pikëkalimet kufitare Bërnjak dhe Jarinjë.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka insistuar se vendimi është i drejtë, ndërsa ka përsëritur faktin se Prishtina do të tërhiqet nga reciprociteti vetëm nëse Serbia do të ndërmarrë të njëjtin vendim.



