
Fotografia e ish-presidentit Ibrahim Rugova është shfaqur në Lubjanë të Sllovenisë në mesin e disa fotografive të laureatëve të Çmimit Saharov për Lirinë e Mendimit, të titulluar “Të Drejtat e Njeriut në Zemër të Evropës”, ka njoftuar Ambasada e Kosovës në Slloveni.
Nga më shumë se 40 personalitete dhe organizata ndërkombëtare laureatë të këtij çmimi prestigjioz, janë ekspozuar fotografitë dhe nga një përshkrim i shkurtër për veprimtaritë e disa prej tyre, duke përfshirë Presidentin e parë të Kosovës, Ibrahim Rugova.
Te përshkrimi për Rugovën thuhet se “Presidenti i parë i Kosovës së pavarur ka punuar parreshtur për zgjidhje paqësore dhe dialog dhe ia ka kushtuar jetën rezistencës jo të dhunshme të shqiptarëve të Kosovës kundër represionit serb.
Ai njihej si “Gandi i Ballkanit” duke avokuar për konfirmim global të përpjekjeve të shqiptarëve të Kosovës për emancipim politik duke i bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që t’i ofrojë mbrojtje Kosovës”.
Çmimi Saharov për Lirinë e Mendimit është nderimi më i lartë i bërë nga BE-ja për punën për të drejtat e njeriut.
Në vitin 1991, laureat i parë i Çmimit Saharov nga Kosova ka qenë Adem Demaçi.



