
PD i ka bërë thirrje kryeministrit Edi Ramës që të heqë dorë nga çdo kërcënim dhe destabilizim, për protestën e lajmëruar nga opozita më 16 shkurt.
Në një dalje për mediat Sekretari i Përgjithshëm demokrat, se çdo skenar për të përdorur policinë si vegël politike është kriminal. Sipas Bardhit, Partia Demokratike garanton çdo qytetar për sigurinë e tij në datën 16 Shkurt. Sipas tij shqiptarët do t’i bashkohen protestës së opozitës, sepse e dinë mirë që kriminelët dhe bandat janë me Edi Ramën dhe jo mes protestuesve.
"Skenari për të përdorur policinë si vegël politike është kriminal. Partia Demokratike garanton çdo qytetar për sigurinë e tij në datën 16 Shkurt. Shqiptarët do t’i bashkohen protestës së opozitës, sepse e dinë mirë që kriminelët dhe bandat janë me Edi Ramën dhe jo mes protestuesve. Ne do të protestojmë si njerëz të lirë dhe me dinjitet. Paralajmërojmë Policinë Politike të Edi Ramës të rrijë larg protestuesve! Të mos pengojë lëvizjen e lirë të tyre! Përndryshe, secili prej shërbëtorëve të skenarit kriminal të Edi Ramës, do të mbajë përgjegjësi personale dhe ligjore", është shprehur sekretari i përgjithshëm i PD.
Nga selia blu, Bardhi thotë sekryeministri ka vetëm një detyrë; t’i hapë rrugë zgjidhjes politike!
"I bëjmë thirrje të heqë dorë nga çdo skenar destabilizues që ka mbi tryezën e tij! Në të kundërt, Edi Rama do të jetë i vetmi që do të mbajë përgjegjësi, njësoj si çdo diktator që del kundër vullnetit të popullit të bashkuar! Ftojmë shqiptarët të injorojnë kërcënimet e një pushteti të kalbur nga krimi dhe korrupsioni!", deklaroi Bardhi.
Ndërkohë, deputeti i LSI-së, Endri Braimllari, tha se Policia e Shtetit duhet të shkëputet nga ndikimi politik i Edi Ramës, ndërsa e paralajmëroi atë që të heqë dorë nga provokimet në protestën e ditës së shtunë.
"Policia e Shtetit duhet të shkëputet nga ndikimi politik i Edi Ramës i cili ka treguar publikisht se nuk është në krah të oficerëve të ndershëm të policisë, por në krah të krimit të organizuar. Paralajmërojmë Edi Ramën, të mbajë larg provokatorët nga protesta e ditës së shtunë. I vetmi person që kërkon të destabilizojë është Edi Rama. Këtë, ai e ka vetëprovuar. Policia e Shtetit nëse ka informacion për elementë me rekorde kriminalë, t'i luftojë dhe t'i godasë me forcën më të madhe, çdo ditë. Sot, nesër dhe pasnesër", deklaroi Brahimllari.



