
Bashkimi Evropian ka premtuar 500 milionë euro për të përmirësuar infrastrukturën energjetike në Ballkanin Perëndimor, tha shefja e komisionit Ursula von der Leyen të mërkurën në Maqedoninë e Veriut në ndalesën e parë të turit në rajon. Deklarata vjen pasi rritja e çmimeve të energjisë të shkaktuar nga lufta e Rusisë në Ukrainë dhe fillimi i dimrit dërgojnë valë tronditëse në ekonomitë evropiane që tashmë po luftojnë me inflacionin në rritje.
Sipas von der Leyen ndihma fillon me 80 milionë euro në mbështetje të menjëhershme buxhetore për Maqedoninë e Veriut për të “ndihmuar në adresimin e ndikimit të çmimeve të larta të energjisë”.
“Por sigurisht që do të vijnë më shumë. Për shembull ka 500 milionë euro grante për të gjithë rajonin për të investuar në lidhjet e energjisë, efiçencën e energjisë dhe sigurisht energjinë e rinovueshme”, tha von der Leyen, duke theksuar rëndësinë e të qenit i pavarur nga karburantet fosile ruse.
Një pjesë e mbështetjes është përmes blerjes së përbashkët të gazit në tregun botëror.
“Energjia dhe kriza ekonomike e shkaktuar nga lufta në Ukrainë kanë bashkuar Evropën. Vetëm të bashkuar mund ta përballojmë mungesën e energjisë dhe ushqimit”, tha kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski.
Ekspertët kanë paralajmëruar se procesi i bllokuar i integrimit ka provokuar një euroskepticizëm në rritje, duke lënë hapësirë që ndikimi rus të rritet në rajon. Vizita e së mërkurës shënoi udhëtimin e dytë të von der Leyen në Shkup këtë vit. Në korrik, ajo foli në Parlamentin e Maqedonisë në prag të fillimit zyrtar të negociatave ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe BE-së. Shefi i Komisionit të BE-së ndalet sot në Kosovë dhe Shqipëri, dhe vijon vizitën në Malin e Zi dhe Serbi.
Burimi: Euroactiv



