
Partia Demokratike vijon akuzat në adresë të kryeministrit Rama për kryebashkiakun e Vorës. Në një deklaratë për mediat nga selia blu, ish-deputeti Klevis Balliu tha se Rama po e mbron Agim Kajmakun siç mbrojnë njëri-tjetrin pjesëtarët e mafias.
“Jorgo Toto alias Agim Kajmaku mbrohet nga Edi Rama sepse ai është simboli i modelit kriminal me të cilin qeveris Shqipërinë prej 6 vitesh”, tha Balliu.
Balliu tha se Rilindja funksionon në të njëjtën mënyrë si një organizatë mafioze, e cila kodin e heshtjes e ka themelin e saj.
“Edi Rama është fytyra e krimit në qeveri vetëm se në raste të ndryshme ndërron emrin dhe bëhet Elvis Rroshi, Vangjush Dako, Armando Prenga, Arben Ndoka, Saimir Tahiri, Agron Xhafaj, Damian Gjiknuri, Dionis Imeri, Pjerin Ndreu, Jurgis Çyrbja, Astrit Avdylaj, Ilir Ndrazhi, Elton Arbana apo Valdrin Pjetri e me radhë një listë e gjatë emrash që sot duhet të ishin në burg. Me heshtjen e tij, Edi Rama provoi se është ai mbrojtësi i Agim Kajmakut, me kandidimin e të cilit provoi edhe njëherë se është i lidhur pazgjidhshmërisht me krimin”, tha ai.
Balliu akuzoi edhe prokurorinë se po ndjek të njëjtën strategji në rastin “Kajmaku”.
“Omerta edhe nga Katicat e Ramës në prokurori, që njësoj si shefi i tyre në qeveri mbrojnë me “heshtjen” e institucionit të tyre të kërkuarin në Greqi”, vijoi më tej Balliu.



