Presidenti amerikan Donald Trump, të premten, njoftoi Kongresin se po shkarkon inspektorin e përgjithshëm të inteligjencës amerikane, pasi u përfshi vitin e kaluar në nxitjen e një hetimi mbi presidentin.
Përmes një letre drejtuar ligjvënësve kryesorë, Trump shkruante se kishte planifikuar largimin e zyrtarit, Michael Atkinson, brenda 30 ditëve, me arsyetimin se është diçka thelbësore që ai të ketë besim më të madh te personat e emëruar prej tij dhe që shërbejnë si inpektorë të përgjithshëm të inteligjencës amerikane.
“Nuk është më çështja vetëm në lidhje me këtë inspektor të përgjithshëm”, tha ai.
Një zyrtar amerikan tha që Thomas Monheim, një profesionist në karrierë i inteligjencës amerikane, do të shërbejë për momentin si inspektor i përgjithshëm.
Atkinson gjatë shërbimit në intelegjencë kishte informuar Kongresin për një informator anonim i cili kishte dhënë informacione për presionin e Trumpit ndaj Ukrainës për të hetuar ish-zëvendëspresidentin Joe Biden dhe djalin e tij.
Dëshmia e informatorit që më pas u bë publike, zbuloi se Trump kishte kërkuar nga presidenti ukrainas Zelenskyi për të hetuar Biden.
Këto akuza çuan në një hetim ndaj Shtepisë së Bardhë dhe në nisjen e procedurave për shkarkim të Trumpit që doli të jetë i pafajshëm.
Pas polemikave nga të dy krahët, Dhoma e Përfaqësuesve e udhëhequr nga demokratët votoi për fajësinë e Trump, por Senati i udhëhequr nga republikanët në fillim të muajit shkurt e shpalli atë të pafajshëm nga akuzat.
Demokratët e kritikuan Trump për shkarkimin e Atkinson, veçanërisht në kohën kur vendi është pllakosur nga pandemia Covid-19.



