Ish-deputeti socialist dhe njëkohësisht avokati mbrojtës i Erion Veliajt, Plarent Ndreca, ka reaguar me tone të ashpra ndaj kryeministrit Edi Rama, pas vendimit të këtij të fundit për ta larguar nga Partia Socialiste.
Në një reagim të gjatë në rrjetet sociale, Ndreca akuzon Ramën se ka shkelur statutin e partisë dhe ka përdorur dy herë foltoren e Asamblesë për ta ndëshkuar politikisht për shkak të ushtrimit të profesionit të tij si avokat.
Duke i cilësuar mbledhjet e fundit të Asamblesë Kombëtare dhe asaj të Tiranës si "një turp që e ktheu partinë 35 vjet pas", Ndreca thekson se Rama i ka fyer socialistët dhe ka anashkaluar strukturat e partisë.
Si avokat, kam përcjellë me besnikëri qëndrimet e ekipit mbrojtës për çështjen Veliaj. Si socialist, si ish-deputet i Partisë Socialiste, si kandidat në listën e saj dhe si drejtues politik i Njësisë 14 në Tiranë, kam zgjedhur të përmbahem. Por përmbajtja e ka një kufi dhe ai u kalua kur Kryeministri përdori dy herë foltoren e kryetarit të partisë për të më ndëshkuar politikisht për qëndrimet që kam mbajtur në ushtrimin e profesionit tim.
Prandaj sot po ju flas edhe si socialist. Së pari, për partinë dhe statutin e saj. Mbledhjet e fundit të Asamblesë Kombëtare dhe të Asamblesë së Tiranës ishin një turp për Partinë Socialiste të Shqipërisë. Partia u kthye 35 vjet pas, fiks në kohën e fishkëllimave kundër Dritëroit.
Sa i përket akuzave të Kryeministrit për ndërhyrje në emërimet dhe shkarkimet në Bashkinë e Tiranës, Ndreca i hedh poshtë kategorikisht, duke i cilësuar si thashetheme korridoresh dhe duke sfiduar Ramën që ta pyesë vetë kryebashkiakun Veliaj: "Jo natën e me kapele, por hapur, në mes të ditës.
Meqë Kryeministri solli në foltoren e partisë thashethemet që qarkullojnë në korridoret e tij politike dhe siç duket, kohët e fundit, ka shumë njerëz që i fryjnë në vesh informacione të gabuara, nuk po them se “gënjen si derri”, por një gjë është e sigurt: asgjë nga ato që tha nuk është e vërtetë.
Si drejtues politik i Njësisë 14, i kam përcjellë me shkresa Bashkisë dhe qeverisë problemet që më kanë ngritur qytetarët e zonës. E kam bërë sepse e kam për detyrë t’u jap zë njerëzve që më drejtohen. Për vijimin e kësaj detyre vendosin strukturat e partisë, sipas statutit të saj. Kur të më njoftohet vendimi sipas statutit, ose kur Partia Socialiste të regjistrohet në kadastër si pronë private e Edi Ramës, do ta respektoj.
Një pjesë të rëndësishme të reagimit, avokati ia dedikon akuzave se ka gënjyer dhe shtrembëruar bisedën mes ministrit Toni Gogu dhe Erion Veliajt. Ndreca sqaron se ai vetëm sa ka përcjellë publikisht rrëfimin e shkruar të klientit të tij, në të cilin Veliaj pretendon se është shantazhuar dhe kërcënuar në emër të Kryeministrit.
Nëse kundërshton vetë rrëfimin e Erion Veliajt, le të tregojë mbi ç’prova mbështetet. A ishte vetë në takim? A kishte dijeni paraprakisht? A i kishte dhënë porosi ministrit? Erion Veliaj ka kërkuar hetim për pretendimet e tij se ministri e ka shantazhuar dhe e ka kërcënuar në emër të Kryeministrit. Kryeministri mund të ndërmerrte një hetim qeveritar ose parlamentar. Por për kërkesën e hetimit heshti.
Në përfundim të reagimit, Plarent Ndreca thekson se nuk i frikësohet presionit politik dhe se do të vazhdojë të jetë avokati i Erion Veliajt për sa kohë ky i fundit ta kërkojë, ndërsa paralajmëron se tashmë do të jetë "një socialist që nuk hesht dhe që nuk e braktis lirinë në të cilën beson".
Ia kam thënë dhe po e përsëris. As më lëkund, as më dikton dhe as më impresionon dot. Për aq kohë sa Erion Veliaj dëshiron që unë të jem avokati i tij, do t'i qëndroj pranë dhe do t'i mbroj interesat me gjithë përkushtimin tim. Kështu ma kërkon betimi im profesional, solidariteti si socialist dhe thirrja njerëzore që më vjen nga të gjallët e të vdekurit e atyre anëve ku i kam rrënjët. Por që nga sot do të jem edhe një socialist që nuk hesht dhe që nuk e braktis lirinë në të cilën beson.
