Presidenti i Republikës ka dekretuar pa humbur kohë ministren e re të Arsimit, Evis Kushi.
Kryeministria dërgoi të enjten në Presidencë emrin e Evis Kushit për dekretim në postin drejtues të Ministres së Arsimit.
Një hap i tillë erdhi pak ditë pas largimit të Besa Shahinit nga ky institucion, i cili shpeshherë ka qenë në fokus të kritikave nga kundërshtarët politikë.
Kreu i Shtetit sipas Kushtetutës kishte afat shtatë ditë për këtë vendim, por zgjodhi ta dekretojë pa humbur kohë ministren e re të Arsimit.
Kryeministri i vendit, Edi Rama ndryshimin në kabinetin qeveritar e bëri më 14 shtator, ndërsa e falënderoi publikisht Besa Shahinin për kontributin e dhënë në drejtimin e kësaj ministrie.
"Dua të të falënderoj shumë për të gjithë kontributin e madh që ke dhënë. Jam i bindur që edhe çfarë nuk është arritur dot të vlerësohet prej kohës aktuale, padiskutim do të vlerësohet në kohë," deklaroi Rama.
Sipas kryeministrit, në shtatë vjet qeverisja socialiste ka ndryshuar në mënyrë radikale arsimin.
Ministrja Kushi më herët ka mbajtur postin e dekanes në Fakultetin Ekonomik të Elbasanit. Gjatë prezantimit nga Rama, znj. Kushi u shpreh se e vlerëson dhe çmon si përgjegjësi të lartë drejtimin e Ministrisë së Arsimit.
"Unë ju falënderoj shumë sepse është një privilegj shumë i lartë, jam shumë e befasuar në fakt nuk e prisja, që pas shtatë vitesh angazhim politik të jem ministre e Arsimit. Më shumë se privilegj e konsideroj një përgjegjësi shumë të lartë që të drejtoj sektorin ku kam punuar tashmë prej 23 vitesh”, theksoi Kushi.



