
Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Shqipëria dhe katër vende të tjera thirrën sot një mbledhje të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara me arsyetimin se Rusia ka kryer krime lufte në Ukrainë.
Në një deklaratë nga Twitter e Përfaqësisë së Përhershme të Britanisë së Madhe në OKB, thuhet se “Britania e Madhe, SHBA-ja, Franca, Irlanda, Norvegjia dhe Shqipëria kanë thirrur Këshillin e Sigurimit të OKB-së në një takim për Ukrainën”.
Rusia po kryen krime lufte dhe po vendos civilët në objektivin e saj. Lufta e paligjshme e Rusisë na kërcënon të gjithëve”, thuhet në deklaratë.
Delegacioni shqiptar, pranë Këshillit të Sigurisë në OKB, ka konfirmuar thirrjen e një mbledhjeje urgjente për agresionin rus kundër Ukrainës.
Kjo, pavarësisht vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (ICJ) që urdhëroi ndalimin e menjëhershëm të pushtimit të Federatës Ruse.
Agresioni i vazhdueshëm kundër Ukrainës vazhdon të shkaktojë shkatërrime të pamasë dhe vuajtje njerëzore”, deklaron delegacioni shqiptar.
ICJ-ja vendosi të mërkurën, pas një kërkese urgjente të Ukrainës – që Rusia të ndalte urgjentisht pushtimin e saj.
Me 13 vota pro dhe dy vota kundër, Federata Ruse do të duhet t’i pezullojë menjëherë operacionet ushtarake që filloi më 24 shkurt.
Sipas OKB-së, në luftën që Rusia i ka shpallur Ukrainës, kanë humbur jetën 726 civilë dhe janë plagosur 1 174 të tjerë.



