
Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edi Paloka, ka reaguar pas arrestimit të 42 protestuesve, që ishin të pranishëm në tubimin e djeshëm të opozitës së bashkuar.
Në një deklaratë për shtyp Paloka u shpreh se PD dënon arrestimin e protestuesve paqësorë, ndërsa shtoi se ata janë vënë në pranga me urdhër të kryeministrit Rama dhe ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj.
Paloka theksoi se arrestimet janë politike, ndërsa shtoi se janë ndaluar, sipas tij, edhe njerëz që janë ‘rrëmbyer në rrugë, pa qenë fare në protestë”.
“Shqipëria i vetmi vend anëtarë i NATO-s me të burgosur politik. PD dënon me ashpërsi ndalimin dhe arrestimin e protestuesve paqësorë, kundër të gjithëve nuk ka asnjë provë. Janë me dhjetëra qytetarë të arrestuar me urdhër të Ramës dhe LLeshaj. Strategjia e përçarjes, terrorit e dhunës ka dështuar.
Që prej 16 shkurtit Edi Rama është një kufomë politike. Është fakt se në gjyqe kanë rezultuar të ndaluar edhe njerëz që janë rrëmbyer në rrugë pa qenë fare në protestë. Kemi dy polici në radhët e policisë, atë të policëve të ndershëm edhe atë të narko shtetit. Video e regjistruar tek Spitali i Traumës është dëshmi e policisë që kemi sot. Lleshaj dhunon edhe vetë vartësin e tij për të larguar kolegun, mjekun Bardh Spahia nga spitali”,
Është fakt se sot kemi dy polici brenda rradhëve të policisë, atë të profesionistëve të ndershëm dhe atë të narkomilitantëve. Video e mbrëmshme tek Spitali i Traumës është dëshmia më e qartë se në ç’gjendje të mjeruar ndodhet policia shqiptare. Si ushtar politik i një ministri sadist dhe enverist, banditi i veshur me uniformë dhunon edhe vetë vartësin e tij, për të larguar me forcë kolegun Bardh Spahia.
Pamjet janë revoltuese për çdo njeri të lirë dhe me dinjitet. Nuk është e largët dita që çdo shërbëtor i Edi Ramës do të mbajë përgjegjësi para ligjit. Kudo qoftë ai, në polici, prokurori apo gjykatë, fundi i tij do të jetë i njëjtë me atë të Edi Ramës.
Sakrifica e asnjë shqiptari të bashkuar në betejën për zgjedhje të lira e të ndershme, për Shqipërinë si Europa, nuk do të shkojë dëm. Ora e drejtësisë po vjen për ata që dhunojnë e vjedhin qytetarët, për ata që rikthyen të burgosurit politikë ne vendin anëtar të NATO-s. Dhunuesit do të marrin atë që meritojnë” u shpreh Paloka.



